Ish-deputeti Osmani “dyshon” se prokurori që e ka ngritur aktakuzën kundër tij është shtyrë nga dikush

Një komunikim jo të zakonshëm e kanë pasur pas përfundimit të seancës gjyqësore ish-deputeti i akuzuar, Naser Osmani e prokurori që ka ngritur aktakuzën në rastin “3 për qind”, Atdhe Dema.

Pasi gjyqtarja e rastit është larguar nga gjykatorja, i akuzuari Osmani i është afruar prokurorit Dema.

“Boll interesant me u bo lajm qeto ditë”, i është drejtuar Osmani-Demës.

“Urdhno?”, ka qenë përgjigja e tij.

Pastaj Osmani ka aluduar se prokurorin dikush e ka shtyrë.

“Kush të ka thanë”, i është drejtuar Osmani.

“Mu me kanë thanë a? Shiko. Ti je i akuzuar e unë jam prokuror. Nuk na lejohet neve me fol”, ka qenë reagimi i prokurorit Dema.

Përderisa Dema fliste, Osmani disa herë me ton më të lartë i drejtohet me pyetjet: Çka, Çka, Çka?

“Atë gjuhë mos e përdor”, i është drejtuar Dema Osmanit.

Situatën janë munduar ta qetësojnë avokatët mbrojtës të të akuzuarve të përfshirë në këtë aktakuzë.

Me 20 minuta vonesë nis seanca gjyqësore për “Fondin 3 për qind”

Sot është planifikuar të vazhdojë shqyrtimi kryesor në rastin e gjykimit për akuzat për keqpërdorim me fondin 3 për qind.

Gjykimi ka filluar të mbahet me vonesë për 20 minuta për shkak se prokurori i rastit është vonuar, raporton Koha Ditore.

Të akuzuarit në këtë rast janë ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi të cilët janë të pranishëm në sallë. Edhe gjyqtarja e rastit është e pranishme në seancë.

Në këtë aktakuzë është i përfshirë edhe ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi. Megjithatë lënda ndaj Bukoshit është veçuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Në gjykim nuk ka ardhur eksperti financiar, Riza Blakaj, i cili ishte planifikuar të japë dëshminë e tij.

loading…