Ish-deputeti i LDK-së: Po të ishte gjallë Rugova do të zhgënjehej me udhëheqësit politikë

Ish-zëvendës-kryeministri dhe ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në 14 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka shkruar se po të ishte gjallë ai do të gjente zgjidhje për ngërçin e krijuar në krijimin e institucioneve mes partisë së tij dhe Lëvizjës Vetëvendosje.

Ai duke e lartësuar figurën e Rugovës dhe të bëmat e tij në një kohë më të vështirë se sot, tha se liderët aktualë politikë kanë shkatërruar gjithçka që krijoi ai.

“Gati dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe njëzet vjet pas çlirimit, partitë dhe liderët e tyre nuk janë në gjendje t’i krijojnë institucionet e Kosovës, të cilat ti arrite t’i krijoje edhe nën okupimin e rëndë serb”.

Salihaj u shpreh i zhgënjyer se nuk kanë zgjidhje për situatën e krijuar dhe gjendjen e Kosovës.

Ja postimi i plotë:

Kaluan 14 vite nga largimi yt nga kjo botë. Sa ishe gjallë, ti drejtove anijen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nëpër dallgë të tërbuara, në mes shkëmbinjve, nën shkrepjen e rrufeve e bubullimave, në një ambient të egër, kur i kanosej shfarosja totale popullit tonë në Kosovë. Askush nuk e pati guximin, vendosmërinë dhe kthjelltësinë tënde, askush nuk e pati vizionin dhe strategjinë e arritjes së qëllimit tonë, të ëndërruar me shekuj. Popullin shqiptar të Kosovës, prej një populli të pashpresë, prej një populli të pa krahë e të martirizuar, e ktheve në një popull të fuqishëm, unik, të pathyeshëm e fitimtar. Bota u mahnit me atë që krijove me popullin e Kosovës. Tërë simpatinë e botës e ktheve kah ne. Me gjithë injorimin e madh që kishte Kosova dhe shqiptarët nga fuqitë e mëdha vendimmarrëse dhe nga bota perëndimore, ti e shndërrove këtë injorim dhe antipati në përkrahje dhe simpati. Ti ishe ai që krijove unitet për interesin e Kosovës, edhe me ata që të fyen, shanë dhe sulmuan me mënyrat dhe mjetet më të ulëta.
President Rugova, ti do të habiteshe pa masë sot, po ta shihje në çfarë gjendje e sollën Kosovën partitë politikë dhe të ashtuquajturit liderë. Kur ishe ti gjallë, edhe pse partia që udhëhiqje ti kishte e vetme 47 deputetë, ti krijoje unitet dhe e ndaje pushtetin edhe me parti të vogla, për ta çuar Kosovën përpara drejt zhvillimit ekonomik e kulturor, drejt integrimit në BE, NATO dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë, duke e forcuar pandërprerë miqësinë e përhershme me mikun dhe përkrahësin tonë më të madh-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, këta të vetëquajtur liderë, e kanë zhvlerësuar gjithë atë që krijove ti, duke e shndërruar Kosovën në objekt plaçke, e cila mund të tradhtohet e shitet pa asnjë hezitim. Çdo gjë mund të plaçkitet, vidhet e shitet. Edhe paratë, edhe nderi , edhe toka. Republikës së Kosovës, të cilën e krijove ti, ia kanë humbur nderin dhe e shndërrojnë çdo ditë.

Gati dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe njëzet vjet pas çlirimit, partitë dhe liderët e tyre nuk janë në gjendje t’i krijojnë institucionet e Kosovës, të cilat ti arrite t’i krijoje edhe nën okupimin e rëndë serb.

Po të ngriheshe sot nga varri, nuk do t’u besoje syve të tu. Ata që ta nxinë dhe ta shkatërruan jetën ty , sot po ia nxijnë dhe shkatërrojnë jetën Kosovës dhe popullit të saj. Ky popull, nga i cili ti krijove mrekulli, sot është plotësisht i rraskapitur, i hutuar dhe çorientuar, ka mbetur jetim dhe nuk di kah t’ia mbajë. I ka humbur shpresat, i mungon vizionari dhe nuk ka forcë të ngritet dhe t’i shporrë këta njerëz që nuk kanë as fe, as komb, as nder, as lavdi.

I dashur president, nuk mund të them se jam i lumtur me shtetin tonë. Mund të them se jam i zhgënjyer. Asnjëherë nuk mendova se jemi një popull kaq injorant dhe i vendosim llumin dhe fundërrinat në krye të shtetit.

Ti do të mendoje se të rinjtë dhe të rejat janë krenar me shtetin tonë, të cilin e krijuam me kaq shumë sakrifica. Jo. Përkundrazi, të rinjtë dhe të rejat mundohen të ikin sa më parë nga ky shtet dhe të mos e kthejnë më kurrë kokën prapa. Kosova po zbrazet, po ikin të gjithë ata që po mund të ikin. Kjo kastë e fëlliqur ua neveriti shtetin, jo vetëm të rinjve, por të gjithëve. Ua humbi krenarinë kombëtare dhe njerëzore, ua humbi moralin dhe dëshirën për të jetuar këtu.

I dashur president, e di që tash do të më pyesësh se çka do të bëjmë tash, përse nuk gjejmë zgjidhje, ku janë intelektualët dhe politikanët vizionarë, ku janë patriotët që i dalin zot vendit. Unë nuk po mund të të përgjigjem në këtë pyetje. Pyetje e vështirë. Ti, besoj, se do të gjeje zgjidhje, sepse gjeje zgjidhje edhe atëherë kur ishte tepër vështirë. Por, ne as afër s’e kemi që ta gjejmë zgjidhjen!

Një zot e di çka do të bëhet. Vetëm shpresoj se nuk do të shkatërrohemi plotësisht si shtet dhe si popull. E ndoshta një ditë del një vizionar patriot dhe intelektual dhe e drejton këtë Kosovë.