Ish-asamblisti i Listës Serbe në Partesh dënohet me 600 euro gjobë, nuk e deklaroi saktë pasurinë e tij

Gjilan – Boban Stoliq, ish-asamblist i Listës Serbe në Komunën e Parteshit, është dënuar me 600 euro gjobë për mosraportim të saktë të pasurisë së tij.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallë më 27 korrik të këtij viti, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Mevlide Shabani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, paraprakisht i akuzuari Stoliq me mbrojtësen e tij kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan, të cilën marrëveshje e ka aprovuar Gjykata e Gjilanit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 prill 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Boban Stoliq, me arsyetimin se ai si asamblist në Komunën e Parteshit, nuk e ka raportuar saktë pasurinë e tij për vitin 2020, ashtu siç është paraparë me ligj.

Sipas prokurorisë, i akuzuari nuk e ka raportuar shumën e saktë të të ardhurave, duke raportuar shumën prej 2 mijë e 400 euro, ndërsa nga të dhënat e marra nga Ministria e Financave rezulton se ai ka marrë 7 mijë e 147 euro e 40 centë. Gjithashtu, sipas prokurorisë, i akuzuari nuk i ka raportuar edhe pesë parcela që janë pronë personale e tij si dhe 11 tjera si bashkëpronar.

Me këtë, Boban Stoliq, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.