Ish-ambasadorja Lama për skandalin e Berishajt: Do të duhej të dorëhiqej apo tërhiqej nga shteti

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama ka vlerësuar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj do të duhet të jepte dorëheqje ose të shkarkohej, pas dyshimeve se është përfshirë në një aferë të përmasave ballkanike të shpëlarjes së parave.

Ish-ambasadorja Lama shpreh habi se si drejtuesit e institucioneve të Kosovës ende nuk e kanë ndërmarrë një veprim të tillë, shkruan Demokracia.com.

Në një intervistë për Demorkacia.com, ish-ambasadorja Lama thekson se figura e Berishajt tashmë është dëmtuar dhe qëndrimi i mëtutjeshëm i tij si ambasador në Kroaci, në aspektin diplomatik nuk i bënë ndër Kosovës.

“Unë e kam ndjekur si të gjithë lexuesit e tjerë atë çfarë është shkruar dhe shkruhet, nuk është se kam informata të tjera rreth aferës por për aq sa kam lexuar bëhet fjalë për dëmtim të ambasadorit Berishaj. Madje, nuk kemi pasur as mohim të përfshirjes dhe mendoj që është dashur të japë dorëheqjen apo të tërhiqet ambasadori. Por, nuk e kam të qartë se pse gjithë kjo mbrojte nga ana e përfaqësuesve të shtetit. Siç duket janë raporte të afërta ose mund të jenë edhe raporte të tilla që ne nuk i dimë.  Në aspektin diplomatik mendoj se nuk i bënë nder shtetit të Kosovës që të vazhdojë të mbajë në detyrë një ambasador që vazhdon të përflitet për aferë të tilla. Edhe pse unë personalisht nuk e njoh edhe nuk e di kush është ai, por do të duhej të dorëhiqej. Këtu kam parasysh edhe zhurmën dhe gjuetinë  e shtrigave që kanë bërë këta që janë sot në pushtet  edhe në rastin tim, kur jam shkarkuar pa asnjë arsye dhe megjithatë kanë vërshuar me sulme të jashtëzakonshme. Imagjinoni tani kanë arsye dhe mbrojnë atë që nuk mund të mbrohet”, tha Lama për Demorkacia.com.

Për ish-ambasadoren Lama është e çuditshme se si Berishaj nuk dorëhiqet, pasi që kemi të bëjnë me një akuzë të rëndë.

“ Unë nuk e kam të qartë se si ai vet nuk jep dorëheqje sepse çdokush tjetër do ta bënte. Ndoshta e di se e ka mbështetjen presidentes dhe kryeministrit por çështja është më e madhe se kaq.” u shpreh ajo.

Lama konsideron se në rastin e ambasadorit Berishaj kanë dështuar organet e sigurisë që ta verifikojnë figurën e tij.

“Çdo ambasador dhe zyrtar i lartë i shtetit duhet të kalojë procesin e verifikimit nga AKI. Deputetët, ministrat, ambasadorët verifikohen nga AKI para se ta marrin mandatin, ky është proces që ndodhë. Pastaj vjen verifikimi i shtetit tjetër. Shtetet serioze para se ta dërgojnë emrin për ambasador e verifikojnë mirë, në mënyrë që të mos ndodhë që as të mos ua kthejë shteti tjetër por as që të mos dalin gjëra të tjera më pas, pasi të shkoj dhe të fillojë punën, sepse kështu dëmtohet kredibiliteti i shtetit. Kjo është procedura që fillimisht verifikohet në shtetin dërgues pastaj në shtetin tjetër. Në rastin konkret siç duket nuk ka funksionuar asnjëra”, është shprehur ajo.

Ish-ambasadorja Lama vlerëson se institucionet e Kosovës me këtë mosveprim kanë treguar papjekuri politike e diplomatike.

“Unë mendoj që është mungesë pjekurie politike dhe diplomatike, sepse në rend të parë duhet të vihen interesat e shtetit. Është shumë keq që nëse një ambasador bëhet objekt i sulmeve, sidomos kur ka pasur fakte në një far mënyrë, kanë rrjedhur informacione.  Nga ana tjetër jam kundër bërjes tabelë qitjeje të ambasadorëve pa asnjë arsye siç ka ndodhur në rastet e tjera, pra jam shumë për ta ruajtur figurën e përfaqësuesve të shtetit sepse kështu ruhet, figura e shtetit.  Prandaj do të duhej të ishte dorëhequr vetë zoti Berishaj dhe të mos bëhej më objekt i sulmeve. Duhet të dorëhiqet apo të tërhiqet nga shteti. Kjo është rruga e vetme për të mbrojtur dinjitetin e shtetit edhe pse pafajësia mund të vërtetohet më vonë por, është në pyetej dinjiteti i shtetit”, ka thënë ajo.

Tutje, Lama ka përmendur edhe fshehjen e kompanive gjatë deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Nëse ato dyshime nuk janë vërtetuar akoma, kemi mosdeklarimi e pasurisë. Ko është vepër penale. Është dashur të deklarohet pasuria dhe të deklarohen firmat. E di që ka pasur figura të larta politike që ndoshta edhe aksidentalisht nuk e kanë deklaruar korrekt pasurinë dhe kanë përfunduar në procese gjyqësore. Kështu që është përgjegjësi deklarimi i pasurisë”, shtoi ai.

Lama ka përmendur edhe mënyrën se si ambasadori Berishaj e ka marrë shtetësinë e Kosovës.

“Kemi edhe problemin e marrjes së shtetësisë, sepse mënyra si është marrë shtetësia është pak problem”, tha ajo.

Lama ka kritikuar drejtuesit e institucioneve edhe për heshtjen për gafën e ambasadorit të Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, për të cilin Demokracia.com raportoi të dielën se bëri skandal duke votuar në zgjedhjet në Francë.

“Edhe rasti në Francë  ishte një gafë e jashtëzakonshme diplomatike. Heshtje total. Pastaj skandalet e mëhershme si ai i Shkupit ku u përfshi kreu i misionit.  Është sjellje me standard  të dyfishta nga ana e atyre që janë në pushtet”, ka thënë ish-ambasadorja Lama./ Demokracia.com/