William Montgomery

Ish-ambasadori amerikan në Serbi: Kurti po shkatërron marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, William Montgomery, ka vlerësuar se refuzimi i autoriteteve kosovare për të bashkëvepruar me SHBA-të, posaçërisht rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e BE-së, ka krijuar një momentum të paparë deri më tani në marrëdhëniet mes Kosovës dhe aletatit të saj kryesor.

Në një intervistë për “Kosovo-Online” – platformë e lajmeve në gjuhën serbe me seli në pjesën veriore të Kosovës – diplomati amerikan ka nënvizuar se kryeministri kosovar, Albin Kurti, po shkatërron marrëdhëniet me Kosovës dhe SHBA-ve, derisa nuk ka lënë pa kritikuar as qasjen e deritanishme të partnerëve transatlantik në dialogun për normalizimin e marrëdhënive.

Montgomery ka kujtuar se NATO-ja nën udhëheqjen e SHBA-ve e ka bombarduar Serbinë më 1999 pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) vetëm e vetëm për t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës, por sipas tij, kreu i ekzekutivit kosovar tani po sillet në një mënyrë të pafalshme.

“SHBA-të, për të qenë shumë i sinqertë, duke injoruar dhe anashkaluar OKB-në, bënë një hap të madh për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Një hap të madh. Që atëherë kemi punuar së bashku, në kushte shumë të mira. Kryeministri i Kosovës po e refuzon këtë bashkëpunim. Ai po shkatërron marrëdhëniet tona dhe po sillet në një mënyrë që është e pafalshme”, ka thënë Montgomery.

“Për të gjithë liderët në Perëndim, çështja e Kosovës është problem parësor. Ai nuk po u bën asnjë nder shqiptarëve të Kosovës, sepse siç thashë, ne kishim një marrëdhënie të mirë dhe ai do ta shkatërrojë atë”, ka nënvizuar ndër të tjera ish-ambasadori i SHBA-ve në Beograd në kohën e administratës së presidentit George W. Bush.

Duke folur për faktin se raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën kujdesin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, diplomati amerikan ka thënë se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk kanë ide të reja apo një qasje të re për zgjidhjen e rrjedhes së tensionuar të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Pa një qasje të re, nuk mendoj se do të arrijmë gjëkundi. Do të thosha se kjo është çështja parësore, besoni apo jo, më e rëndësishme me të cilën po përballet Kosova tani. Në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, të marrë investime të huaja, duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë Serbinë”, ka shtuar Montgomery.