Isa Mustafa për Kurtin dhe Osmanin: Po ia bëjnë qejfin vetes dhe militantëve, populli do t’i bart pasojat

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë siç kanë qenë.

Në një prononcim për Demokracia.com, ish-kryeministri ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po shëtisin anembanë globit pa asnjë takim domethënës për Kosovën.

Mustafa ka kritikuar qeverinë për mungesë të njohjeve, anëtarësim në organizata ndërkombëtare liberalizim të vizave dhe sjellje të investimeve të huaja.

“Diçka nuk është në rregull me marrëdhëniet Kosovë (Qeveri e Presidencë) me administratën amerikane. Kryeministri dhe presidentja po shëtitën anembanë globit, por pa asnjë takim domethënës për vendin. Asnjë njohjeje të re, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë investim i rëndësishëm i huaj. S’ka liberalizim të vizave, të cilin këta e penguan dhe asnjë përparim në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike. Këta po ia bëjnë qejfin vetes dhe militantëve të tyre. Populli do t’i bartë pasojat”, ka thënë Mustafa për Demokracia.com.

Ish-kryeministri Mustafa ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”. Mustafa nuk ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje. Sipas tij, Kosova nuk do të ishte e barabartë me vendet e tjera.

“Kosova është zotuar për procesin e Berlinit, i iniciuar nga Gjermania dhe i përkrahur nga vendet tjera kyçe evropiane. Në Ballkanin e Hapur Kosova (e panjohur si shtet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina) tani për tani nuk do të jetë e barabartë me vendet tjera”, shtoi Mustafa.

Ish kryetari i LDK-së ka folur edhe për mospërfshirjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rritjen e pagës minimale.

Mustafa ka theksuar se askush nuk mund të jetojë më 170 euro. “Askush nuk mund të jetojë me 170 euro në këtë kohë të krizës. Veteranët duhet të sigurohen se përkrahja financiare e tyre lëvizë me trendet e lëvizjes së të ardhurave për kategoritë e tjera. Shprehem për veteranët e vërtetë, jo për të tjerët”, tha në fund Mustafa.