Ironizon Fatmir Limaj: “S’paska mujt Hashimi me iu thonë serbëve mos hyni me targa KM në Kosovë, na paska vyftë Albin patrioti”

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, gjatë një diskutimi për gjendjen e krijuar në Veri ka ironizuar me vendimet e kryeministrit Albin Kurti.

Duke kritikuar vendimin e Kurtit për targat, Limaj thotë se këtë vendim ka mundur ta marr edhe Hashim Thaçi që sipas tij, i ka luftuar serbët ballë për ballë.

“Ta merr mendja qe s’ka mujt me i thonë Hashim Thaçi nga sot s’keni me mujt me hi me targa KM a? Allahile po ta merr mendja qe Albin Kurti, po i nxjerr muskujt e po i thotë mos hini me targa e s’ka mujt Hashim Thaçi që ka krijuar UÇK-në e t’i ka dal ballë për ballë… s’ka mujt me thirr ne telefon.”, deklaron Limaj.

Këtë reagim Limaj e ka bërë gjatë një përballje me analistin Xhevdet Pozhari.

Në një intervistë në ATV ish-zv kryeministri i Kosovës ka folur për deklaratën e Kurtit lidhur me Veriun. Sipas tij, deklarata e Kurtit se “nuk ka qenë i informuar për situatën në Veri”- ka fyer policët e Kosovës, shërbimet e sistemin e sigurisë.

“I ka fy policinë, i ka fy shërbimet, sistemin e sigurisë dhe bashkëpunëtorët e rrethit. E kemi një kryeministër të painformuar që merr vendime radikale, jetike, të rëndësishme për vendin dhe i thotë një gazetës prestigjioze një deklaratë të tillë. Kjo dëshiron ta arsyetoj atë duke thënë që ‘unë nuk gaboj, por informatën e kam pasur të tillë”, tha Limaj.