Të paktën 935 persona u vranë në Iran gjatë luftës dymbëdhjetëditore me Izraelin, dhe informacioni bazohet në të dhënat më të fundit mjeko-ligjore, tha sot zëdhënësi i gjyqësorit iranian, siç raportohet nga media shtetërore.
Midis të vdekurve ishin 38 fëmijë dhe 132 gra, tha zëdhënësi Ashgar Jahangir, transmeton Ballkani.info.
Numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm krahasuar me shifrën e mëparshme të Ministrisë së Shëndetësisë iraniane – 610 të vdekur në Iran para se armëpushimi të hynte në fuqi javën e kaluar të martën.
Jahangir gjithashtu e rishikoi numrin e të vdekurve në sulmin izraelit ndaj burgut Evin të Teheranit në 79, krahasuar me 71 sa u tha në fillim. Izraeli filloi bombardimet ajrore më 13 qershor, kur sulmoi objektet bërthamore të Iranit, duke vrarë shumë komandantë të lartë ushtarakë, si dhe shumë civilë, që është goditja më e rëndë për Republikën Islamike që nga lufta me Irakun në vitet 1980.
Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash në vendet ushtarake, infrastrukturën dhe qytetet izraelite. Shtetet e Bashkuara hynë në luftë më 22 qershor kur sulmuan objektet bërthamore të Iranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Bagei, tha se “akti i agresionit i Izraelit çoi në shumë krime lufte”. Ai tha gjithashtu se Irani do t’u dërgojë prova organizatave ndërkombëtare të cilat, siç theksoi ai, duhet ta mbajnë Izraelin përgjegjës.
“Veprimi i regjimit sionist izraelit u krye pa asnjë arsye apo justifikim, prandaj ne nuk besojmë në ndarjen e viktimave ushtarake nga ato civile”, u tha Bagei gazetarëve në një konferencë të rregullt për shtyp, duke shtuar se “çdo vdekje martiri ose ndërtesë e shkatërruar është një shembull i një krimi lufte”. /Ballkani.info/







