Irani mohon akuzat për armatim të Rusisë, shprehë gatishmëri për dialog me Ukrainën

Qeveria iraniane ka thënë se është e gatshme të bisedojë me zyrtarët ukrainas për të adresuar akuzat se po armatos Rusinë dhe planifikon të rrisë bashkëpunimin ushtarak me të, pasi lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të muajit të saj të tetë.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Nasser Kanani përsëriti mohimet e Teheranit për dërgimin e dronëve në Rusi.

Po ashtu, ai shprehi edhe gatishmërinë për dialog dhe negociata me Ukrainën për t’i mohuar këto akuza, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.

Ngjarja vijoi, pasi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i kishte propozuar Presidentit Volodymyr Zelenksyy prishjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike me Iranin pas sulmeve të fundit të Rusisë, të cilat vranë disa njerëz dhe dëmtuan infrastrukturën.

Kuleba kishte shtuar se qeveria ukrainase nuk kishte dyshime se dronët iranianë Shahed-136 “kamikazë” ishin përdorur në sulmet e së hënës dhe besonte se Teherani ndoshta do të vazhdonte furnizimin me armë për Moskën.

Ukraina, e cila uli marrëdhëniet diplomatike me Teheranin muajin e kaluar, ka qenë e zëshme për përdorimin e supozuar të dronëve iranianë, duke i fajësuar ata drejtpërdrejt disa herë për sulmet në kryeqytetin Kiev.

Ukraina i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione ndaj Iranit për shitjet e supozuara të armëve.

Irani dhe Rusia po afrohen gjithnjë e më shumë. Këyë e ka konfirmuar edhe ministri i jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, i cili të martën tha se një marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë që ka qenë në agjendë që nga viti i kaluar do të finalizohet deri në fund të vitit aktual kalendarik iranian, në mars të 2023-tës.