Iran: Rritet zemërimi pas dyshimeve për sulm seksual të policisë ndaj një gruaje

Një video, në të cilën dyshohet se forcat e sigurisë në Iran sulmojnë seksualisht një protestuese – gjatë tentimeve për arrestimin e saj – ka provokuar zemërim në rrjetet sociale.

Në këto platforma është bërë thirrje për “drejtësi” dhe dorëheqje të shefit policor.

Edhe disa persona pro-Qeverisë kanë dënuar këtë akt.

Në video shihen disa zyrtarë policorë duke e rrethuar një grua në rrugën kryesore.

Njëri prej tyre e kap për qafe dhe e drejton te policët tjerë.

Derisa gruaja shtyhet në drejtim të një biçiklete, një zyrtar i afrohet dhe i vendos dorën në pjesën e prapme të trupit.

Gruaja më pas shtrihet në tokë dhe më shumë zyrtarë policorë i afrohen.

Ajo duket në video se nuk ka mbulesë në kokë. Ndërkohë gruaja arrin të ikë nga skena.

Pavarësisht bllokadave për përdorim të rrjeteve sociale, iranianët, megjithatë, janë duke arritur të publikojnë imazhe të fuqishme nga protestat.

Protestat e fundit kanë shpërthyer muajin e kaluar, pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, teksa ka qenë në mbajtje nga policia, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Zyrtarët kanë thënë se ajo ka vdekur nga dëmtimi i organeve, mirëpo familjarët e viktimës besojnë se ajo ka vdekur pas goditjeve të zyrtarëve të Policisë për Moral.

Dhjetëra video të protestave janë bërë virale, si brenda, ashtu edhe jashtë Iranit.

Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë që më shumë se 150 persona janë vrarë prej kur kanë nisur protestat në Republikën Islamike më 17 shtator./REL