Investimi në fushën e energjisë prej 236.7 milionë dollarë, Qeveria jep detaje për marrëveshjen “MCC” në Amerikë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë udhëtuar sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por bashkë me Osmanin dhe Kurtin në këtë udhëtim është nisur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në një njoftim për media është theksuar se në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Ky theksohet të jetë investimi më i madh i bërë ndonjëherë në fushën e energjisë në Kosovë.

“Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Ekonomisë.

Po ashtu gjatë këtij udhëtimi pritet që Osmani dhe Kurti të zhvillojnë edhe takime të tjera në Amerikë.

Duhet përkujtuar që në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i kishte thënë jo projektit të gazsjellësit.

Kjo pasi Qeverisë së Kosovës nuk i kishin mjaftuar informacionet e dhëna nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për projektin që do të lidhte Kosovën me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi I infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit. Në këtë situatë përballë afateve kohore që ka MCC, ne kemi vendosur që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët”, pati deklaruar ministrja Rizvanolli.

Korporata amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit, pak muaj pas ardhjes në pushtet të presidentit të ri, Joe Biden, ka kryer studim fizibiliteti dhe ka ndarë 200 milionë dollarë për këtë projekt.

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë tri projekte: 1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), 2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe 3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.