Prokuroria Speciale

​Intervistohen kandidatët për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, mes tyre edhe Blerim Isufaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka organizuar këtë të premte procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Për këtë pozitë KPK-ja ka intervistuar katër kandidatë, mes të cilëve është edhe Blerim Isufaj i cili kandidon edhe për një mandat në krye të Speciales që tashmë e drejton, përderisa emri i tij vazhdon të insistohet nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit.

Kandidatë të tjerë janë prokurorët, si vijon: Atdhe Dema, Naim Abazi dhe Valdet Gashi.

KPK-ja ka njoftuar se është intervistuar edhe kandidati i vetëm për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnulla Gashi.

“Procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyrës së BE-së në Kosovë, Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe shoqërisë civile”, thuhet në komunikatën për media.

KPK-ja ka thënë do t’i mbajë mediat dhe opinionin publik të informuar në vazhdimësi lidhur procedurat dhe procesin e mëtejshëm të përzgjedhjes së këtyre pozitave në sistemin prokurorial.