Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, në një intervistë për Ballkani.info ka folur për projektet madhore në këtë komunë, rritjen e LDK-së në nivel qendror, marrëdhëniet me Qeverinë Kurti, si dhe raportet që kishte me heroin, Agim Ramadani.

Duke folur për zgjedhjet e fundit në LDK, Gashi ka thënë se sondazhet e fundit flasin për një rritje të madhe të kësaj partie në nivel vendi.

“Ne shpresojmë se LDK-ja është në vazhdimësi në rritje, kështu flasin edhe sondazhet që po ndodhin gjithandej nëpër Kosovë dhe presim që kjo në zgjedhjet parlamentare të dëshmohet. Nuk kam një numër tani, por mbi të gjitha në bazë të sondazheve flasim për një përqindje jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi ka folur edhe për punën që është bërë në këtë komunë, në veçanti për mbrojtjen e ambientit për shkak të ndotjes që krijohet nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Sipas tij, një projekt madhor që ka ndikuar dhe pritet që të ndikojë në mbrojtjen e ambientit në këtë komunë është edhe projekti i kogjenerimit, për të cilin thotë se është krijuar me forca vetanake, derisa shpreson që ky projekt të gjejë mbështetje edhe nga institucionet e nivelit qendror.

“Realisht në Obiliq është e vërtetë që ka ndotje, termocentralet që ekzistojnë në territorin për shumë vite kanë shkaktuar dëme të shumta dhe duan kohë që të rinovohen. Ne si komunë kemi bërë përpjekje të vazhdueshme. Janë krijuar shumë parqe sheshe dhe ka pas mbjellje të drunjve”, ka thënë Gashi.

Ai tutje ka thënë se shpreson që edhe KEK-u të jetë i fokusuar dhe të krijojnë rripin e sigurisë që do të jetë i mbuluar me shkurre dhe drunjë.

Gashi ka folur edhe për projektet e mëdha që janë bërë gjatë mandatit të tij, duke thënë se e kanë mbyllur vitin me 98 për qind të buxhetit për investime kapitale.

“Ne këtë vit kemi arritur të mbyllim 98 për qind të buxhetit për investime kapitale dhe 99.36 të grantit qeveritar. Pjesë tjetër e këtij suksesi është vetë përformanca, që komuna jonë renditet që disa vite në mesin e 5-shes, ndërsa tani synojmë që të jemi të parët ose të dytët në përformancë”, ka thënë Gashi.

Prioritet për vitin e ardhshëm Gashi ka thënë se është edhe projekti i nxehjes qendror si dhe dixhitalizimi i shkollave etj.

Ai ka folur edhe për raportet e kësaj komune me Qeverinë, marrë parasysh kritikat që janë bërë pas ndarjeve buxhetore për komunat. Gashi ka thënë se fat për këtë komunë është ligji për Obiliqin, duke shtuar se nga ai ligj po kanë edhe të hyra buxhetore të cilat po shfrytëzohen për projekte.

Gashi ka folur edhe për mundësin për kandidimin edhe një mandat për të parin e kësaj komune. /Ballkani.info/