Shkak lëndimet

Interi largon nga skuadra mbrojtësin kroat

Aventura e Sime Vrsaljkos me Interin duket se ka përfunduar tashmë pasi problemet e vazhdueshme fizike të kroatit, kanë bindur zikaltërit të mos ushtrojnë të drejtën e blerjes së tij në merkaton e verës.

Për më tepër, mbrojtësi është hequr edhe nga lista me 25 lojtarë, që Interi ka dorëzuar në Federatën Italiane, pas mbylljes së merkatos së dimrit, çka do të thotë se kroati nuk mund të luajë në kampionat me zikaltërit.

Në vendin e tij, në listë është shtuar mbrojtësi anësor portugez, Cedric Soares, i cili ka ardhur para pak ditësh në Milano, me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për 11 milionë euro nga Southampton, gjithmonë nëse do të bindë me performancat e tij.

Momentalisht Vrsaljko po konsultohet me ekipe mjekësore, për të parë mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale, që mund ta mbajë disa muaj jashtë fushave, ndërsa më pas pritet të rikthehet te Atletico Madridi, për të nisur rikuperimin.