Vetëm dje, Christian Eriksen e bëri të qartë lamtumirën nga Tottenhami, pas gjashtë vitesh te “Spurs”.

Në fakt, ylli danez ka qenë i lidhur prej një kohe me transferimin te Real Madridi, një “derë” që nuk është mbyllur, edhe pse “Los Blancos” janë të përfshirë në blerje më të mëdha për momentin, si ajo e Eden Hazard.

Sidoqoftë, duke parë situatën e mesfushorit krijues danez, Interi është futur në garë për shërbimet e tij. Kështu bën me dije sot “Gazzetta dello Sport”.

Klubi zikaltër dëshiron t’i japë Antonio Contes një lojtar të spikatur për mesfushën. Një mesfushor teknik, i aftë për të hyrë në zonën kundërshtare, për të goditur nga larg, me përvojë të madhe europiane.

Këto tipare iu përgjigjen në mënyrë të përsosur karakteristikave të Eriksen. Le të hyjmë në detajet e negociatave të mundshme me Tottenhamin. Në vlerësimin e kartonit të futbollistit nuk mund të mos ndikojë skadimi i kontratës me anglezët për 12 muaj.

60 apo 70 milionë euro duhet të jenë të mjaftueshme për të thyer rezistimin e Tottenhamit. Ky i fundit duket disi me “shpatulla pas murit”, sepse në janar ekziston rreziku serioz për ta humbur danezin falas.

Interi mendon se i ka kartat e duhura për të hyrë në “ankand”. Drejtuesit zikaltër po e studiojnë këtë mundësi në të gjitha detajet, për të vepruar konkretisht.