Pas një periudhe të gjatë rrahje idesh, reflektimesh dhe vlerësimesh, Interi dhe Milani kanë rënë përfundimisht dakord për të shembur stadiumin mitik të “San Siros” dhe ndërtimin e një impianti të ri modern.

Lajmin e publikon e përditshmja italiane “La Repubblica”, sipas të cilës kuqezinjtë e Milanit nuk e kanë menduar dy herë dhënien e dakordësisë dhe pak më vonë ka ardhur dhe përgjigja pozitive e zikaltërve të Interit.

Projekti ambicioz flet për një stadium të ri me një kapacitet prej 60 mijë vendesh dhe që do të përfshijë edhe territorin e dedikuar aktualisht parkimit.

Kosto e stadiumit të flet për një buxhet prej 600 milionë eurosh, ndërkohë që ideja e financimit te një pjesë edhe te të ardhurat që gjenerojnë të drejtat e emrit me një vlerë prej 25 milionë eurosh në vit. Në këtë mënyrë, stadiumi historik i “San Siros” do të shembet për të rilindur mbi rrënojat e tij si një prej impianteve më modernë në Europë.

Punimet nuk do të nisin menjëherë në fushën e stadiumit aktual, për të mos ndikuar në ndeshjet e parashikuara në kalendar të Interit dhe Milanit. Me dy prej skuadrave të mëdha të Serie A, që synojnë rikthimin e shpejtë në nivelet më të larta të futbollit europian, impianti i ri është hapi i parë dhe i rëndësishëm në këtë drejtim, siç tregon edhe rasti i kampionëve të fuqi të Italisë.