Interesimi nga Drita, deklarohet trajneri Mirel Josa

Ish-trajneri i Prishtinës, tanimë aktual i Vllaznisë së Shkodrës, Mirel Josa është deklaruar rreth interesimit të Dritës së Gjilanit.

Tre herë kampionët e Kosovës janë në kërkim të një trajneri pas largimit të Ardian Nuhiut pak kohë më parë.

Mirel Josa, trajneri i mirënjohur shqiptar është raportuar të jetë në listën e dëshirave të klubit gjilanas.

Josa ka mohuar të ketë ndonjë kontakt me drejtuesit e “bardhekaltërve”.

“Unë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti. Unë respektoj ekipin aktual që jam. Kam një kontratë me të. Nëse ka interesim, sepse kur ka interesim për një person në skuadër, qoftë trajner, qoftë pjesëtar i stafit, qoftë lojtar, duhet ta respektosh. Të respektosh interesimin që kanë klubet e tjera karshi teje, por është një problem që unë nuk mendoj shumë për atë punë. Unë mendoj për punën time këtu. Nga klubi i Dritës unë nuk njoh. Unë njoh vetëm nga Prishtina që kam punuar dy vite atje”, ka thënë Josa në konferencë për media, njofton PanoramaSport, përcjell Demokracia.com.

Mirel Josa, 59-vjeçar, ka qenë shef i shtabit teknik të Prishtinës për dy vite. Josa drejtoi kryeqytetasit gjatë viteve 2017-2019.

Drita e ka mbyllur stinorin vjeshtor si lidere dhe është në garë për titullin e katërt në histori të klubit.