Dialogu Kosovë-Serbi

Instituti Evropian i Paqes kërkon ndryshime radikale nga BE në dialog: Mos iu jepni liderëve ballkanikë vëmendjen e vazhdueshme

Instituti Evropian i Paqes, institut i themeluar nga institucionet e Bashkimit Evropian me propozimin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, ka nxjerrur një punim prej 11 faqesh ku propozohet një ri-fillim, apo ri-setim i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si mundësi e daljes nga ngërçi.

Dokumenti pohon se duke pasur parasysh vullnetin e dobët për të gjetur zgjidhje të palëve, Kosovës dhe Serbisë, “komuniteti ndërkombëtar i përfshirë në proces, pikë së pari BE-ja, por njëjtë edhe SHBA-të dhe Komuniteti Euro-atlantik në përgjithësi, duhet të bëjnë një rishikim radikal dhe të rrënjësishëm të strategjisë”.

“Ajo që duhet është e kundërta e asaj që liderët në Ballkanin Perëndimor janë mësuar të presin: një sistem për vëmendje të vazhdueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet të demonstrojë vendosmëri në çdo moment, dhe duhet të bëjë kështu paraprakisht, para se kriza e sigurisë të mund të zhvillohet dhe para se të plasin dinamikat negative”, pohon dokumenti i Institutit Evropian të Paqes.

Punimi argumenton se oscilimet e vëmendjes ndërkombëtar dhe paaftësia për monitoruar nga afër zhvillimet që të bëhen hapa korrigjues në momentin e parë të mospërputhjeve është pjesë thelbësore e problemit.

“Prandaj, ky dokument ‘non-paper’ propozon një zgjidhje strukturore që të ri-fillojë procesi dhe të jenë të gatshëm të identifikohen, monitorohen dhe adresohen mos-përputhjet herët, duke parandaluar kështu eskalimet dhe daljet nga shinat”, thuhet në pjesën hyrëse të punimit.

Aty pranohet se “kjo do të kërkojë forcimin e konsiderueshëm të mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit dhe pajtueshmërisë, të cilët do të ishin nga Bashkimi Evropian, por të mbështetur edhe nga blloku Euro-atlantik”.

Në këtë tekst theksohet se qysh nga 2011 kur filloi dialogu i Brukselit, tani veçse është bërë më i pafuqishëm dhe angazhimi i palëve është më i vogël se më parë e gjendja në terren akoma më e rënduar.

Marrëveshjet, thuhet aty, siç ishte ajo e arritur në Bruksel dhe Aneksi në Ohër, po pengohen akoma pa filluar mirë.

Aty pohohet se duhet qasje shumë më e fortë dhe se është treguar nga e kaluara se “rezultatet më të mira kanë ardhur atëherë kur ndërhyrja e perëndimit ishte e unifikuar, determinuese dhe e fuqishme”.

“Është koha që pritjet (e komunitet ndërkombëtar) të thuhen qartësisht dhe karotat dhe shkopinjtë të jepen aty ku meritohet”.

Dokumenti thotë se është “veçanërisht shqetësues fakti se ka potencial për zgjerim të konfliktit që mund të rezultojë nga një numër i madh iniciativash të iniciuara nga të dyja palët, apo të shpërthejë thjesht për shkak të situatës që ekziston”.