Rrezarta Delibashzade Krasniqi

Instituti D4D rreth monitorimit të mediave, për tre muaj shpalos lajme të rreme dhe dezinformata te 110 portale

Instituti D4D të hënën organizoi tryezë diskutimi me temën: “Monitorimi i çrregullimeve të informacionit në mediat online dhe sociale: Narrativat e pavërteta dhe titujt e bujshëm, ku janë monitoruar 110 portale në të cilat janë gjetur lajme të rreme dhe dezinformata.

Rrezarta Delibashzade Krasniqi, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit D4D, tha se në këtë monitorim përmes fjalëve kanë arritur të identifikojnë nëse ka çrregullim të informacionit.

“Fushat kryesore të cilat i kemi mbuluar është dialogu Kosovë-Serbi, pjesa e grave në politike dhe pjesa e gazetarëve për gjuhë të urrejtjes në portale”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online..

Fitore Rexhepi, gazetare nga Radio Televizioni i Kosovës, tha se televizioni publik duhet të jetë model për mediat tjera si dhe RTK-ja vazhdon me e mbrojt burimin e vetë. E njëjta shtoi se ka një lloj gare të brendshme që ekziston mes të gjitha televizioneve në Kosovë.

“Gjuha e urrejtjes dhe lajmi i rremë e vendos në lajthitje edhe gazetarin. Kemi barrën më të madhe për shkak se jemi televizion publik, nuk i kuptoj mediat private kur vendosin tituj senzacional, i arsyetojnë me klikime dhe financat”, tha Rexhepi.

“Televizioni publik me qenë model sa i përket jo propagandës, sfida më e madhe sa i përket lajmeve të rrëmë që ka qenë lajmi i Banjskës, është një lloj gare e brendshme që ekziston mes televizioneve”, tha ajo.

Sipas Rexhepit, ajo që mbetet një vështirësi sa i përket mediave është sfida e konfirmimit dhe sfida e eksluzivitetit.

Ndërsa, Arsim Lani, redaktor nga televizioni T7, tha se Edukimi Medial është baza e një gazetarie të mirëfilltë.

“Titujt të tregojnë rëndësinë e lajmit. Profesionalizimi duhet të dëshmohet. Një rëndësi të madhe duhet ta ketë edukimi medial, është baza  që të mos vijmë në lajme të rreme”, tha Lani.

Kurse, Venera Gashi, menaxhere e projektit nga Instituti D4D, tha se atë se çka e konsiderojnë shqetësuese dhe alarmante për lexuesin janë lajmet e rreme dhe teoritë konspirative. Në tre muajt e fundit, janë verifikuar lajme me dezinformata, citime, mendime të personave të caktuar që janë ekspert në fusha të tyre. Një informatë apo narrativë që u konsiderua shqetësuese ishte edhe lajmi ‘spastrime etnik’ që përdoret nga mediat serbe. Gjithashtu edhe lajmet e vjetra që përsëriten si të reja u konsideruan shqetësuese në vendin tonë.

Artikulli i FAZ, ka qenë në vitin 2023 e që është publikuar në janar 2024. Ka qenë artikull lidhur  me kryeministrin Albin Kurti të publikuar në janar 2024, nga portali Epilogu.

“Kemi parë ngjyrim të këtij portali ndaj Qeverisë Kurti”, tha Gashi.

Titulli “Ushtria serbe do hyjë në Kosovë”, publikuar nga portali Orainfo është vlerësuar si dezinformatë nga përmbajtja.