Institucionet financojnë organizata joqeveritare nga dy herë për të njëjtin aktivitet

Për aktivitetin e njëjtë dy organizata joqeveritare kanë përfituar mbështetje financiare nga dy institucione të ndryshme, edhe pse nuk i kishin përmbushur detyrimet nga marrëveshja financiare paraprake.

Edhe pse rregullorja për kriteret, standardet dhe procedurat për dhënien e subvencioneve thekson se aplikuesi duhet të mos ketë pranuar mjete nga burimet e tjera të financimit për të njëjtin aktivitet, Kuvendi i Kosovës dhe Zyra për Çështjen e Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit (ZÇK e ZKM-së) kanë subvencionuar një OJQ në vlerë rreth 10 mijë euro për aktivitetin: “Integrimi i goranëve të rinj”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kuvendi e ka subvencionuar atë më 14 maj të vitit të kaluar me 4.995 euro, ndërsa ZÇK-ja e ZKM-së, më 20 dhjetor 2018, me shumën prej 5 mijë eurosh.

Njësojë ka ndodhur edhe me aktivitetin: “Promovimi i diversitetit kulturor dhe dialog”. Një OJQ është subvencionuar me 3.980 euro nga MKRS-ja, ndërsa nga ZCK-ja, e njëjta organizatë dhe për të njëjtin aktivitet ka marrë edhe 15 mijë euro të tjera.