Skadenca

Inspektorati komunal në Ferizaj gjen në lokale të fshatrave mall pa afat, me çmim joreal e cilësi të dobët

Inspektorati Komunal i Ferizajt gjatë këtyre muajve të qeverisjes së re lokale, ka zhvilluar aksione të ndryshme që për qëllim kanë pasur ofrimin e sigurisë së produkteve në treg dhe kujdesin ndaj shëndetit publik.

Sipas njoftimit për media të kësaj Komune, në këtë kuadër, për herë të parë në një shtrirje masive, ky mekanizëm ka inspektuar pothuajse të gjitha subjektet afariste në fshatrat e Ferizajt, me ç ‘rast gjendja e përgjithshme del të jetë përmirësuar si efekt i inspektimeve të vazhdueshme edhe të subjekteve afariste në qytet.

“Gjatë këtyre inspektimeve, përkatësisht kontrollit të mbi 60 subjekteve afariste janë gjetur edhe produkte pa afat, me çmime jo reale sipas tregut si dhe cilësi e dobët e produkteve, për të cilat janë marr masat e nevojshme sipas procedurës së paraparë me legjislacionin në fuqi që rregullon këtë fushë”, thuhet në njoftim për media.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit Komunal u shpreh i kënaqur për mbështetjen nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu në të gjitha këto aksione si dhe bashkëpunimin edhe me akterë të tjerë në nivel lokal për t’i garantuar qytetarëve produkte cilësore dhe ruajtjen e shëndetit të tyre.

Sipas njoftimit për media, ai tha se ky aksion do të vijojë edhe në javët e ardhshme, veçse qëllimi ka qenë që fillimisht të regjistrohet një gjendje e përgjithshme në të gjitha fshatrat, përkatësisht subjektet afariste që operojnë në fshatrat e Ferizajt.

Në fund të këtij njoftimi, thuhet se Komuna e Ferizajt, inkurajon qytetarët e Ferizajt që të denoncojnë rastet kur hasin në produkte të prishura, pa afat dhe pa kushtet e duhura të ruajtjes në mënyrë që të ndërmerren hapat e nevojshëm në dobi të shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve.