Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka treguar pse VV-ja po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Ai ka bërë me dije se partia e Kurtit po llogaritë që të ushtrojë edhe postin e presidentit për disa muaj vitin e ardhshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se kjo parti është duke kalkuluar për zgjedhjet e reja.
“VV-ja po përgatitet për zgjedhjet e afërta gjatë këtij viti, apo edhe për zgjedhjet e vitit 2026. E për më tepër, nëse Kosova shkon në zgjedhje të vitit 2026, si rezultat i mungesës së votave për zgjedhjen e presidentit, atëherë Vetëvendosje apo Albulena Haxhiu, nëse mban postin e kryetares së Kuvendit, automatikisht do ta ushtrojë për disa muaj dhe detyrën e presidentes. Në të dy situatat e shkuarjes në zgjedhje, VV-ja po kalkulon se përsëri do jetë subjekti i parë favorit për të fituar . Për atë, nuk po ju ngutet të marrin udhëheqjen e qeverisë, pa një stabilitet në numra e me mandat të ri dhe të qartë, për të vazhduar me legjitimitet të plotë. Sepse, diçka është e sigurt nëse shkojmë në zgjedhje, dhe nëse nuk ndryshojnë rezultatet apo do ndryshojnë pak, shumë do ndryshojnë qëndrimet dhe mundësit e bashkëpunimit mes subjekteve politike”, ka shkruar Kryeziu.






