Imer Mushkolaj

‘Iniciativa e vonë për gjykimin e krimeve serbe, klasa politike që 20 vjet kanë luajtur me viktimat’

Sot në Kuvendin e Kosovës, pritet të mbahet seancë plenare për gjenocidin serb.

Nisma e kryeparlamentarit Veseli, për krijimin e një Tribunali që do të gjykonte krimet e kryera nga serbët në Kosovë gjatë luftës, ka gjetur përkrahje nga një pjesë e zyrtarëve politik dhe shoqërisë civile.

Pjesa tjetër, mendojnë që kjo iniciativë është shumë e vonshme pasi që konsiderojnë se gjetja e kriminelëve dhe vënia e tyre para drejtësisë do të jetë shumë e vështirë tash që janë bërë 20 vite nga lufta.

Analisti i njohur politik, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Ballkani.info, gjithashtu ka thënë se klasa politike nuk ka qenë e interesuar rreth kësaj çështje dhe për 20 vjet kanë luajtur me viktimat.

“Vonë, shumë vonë. Iniciativa ka mundur të ndërmirret shumë më herët, por nuk është bërë. Klasa politike nuk ka qenë e interesuar dhe për 20 vjet kanë luajtur me viktimat dhe me ndjenjat e familjarëve të viktimave. Madje i kanë fyer viktimat me qasjen e tyre. Askush nuk i ka ndaluar t’i ndërmarrin këto veprime më herët. Tash e gjitha tingëllon demagogji, hipokrizi dhe në funksion të kauzave personale partiake”, ka thënë Mushkolaj.

Kujtojmë se kjo iniciativë ishte konsideruar si ‘shaka’ edhe nga disa deputet të parlamentit. /Ballkani.info