Informacionet nga shërbimet sekrete: A është Kina fajtore për koronavirusin?

Prej ditësh në media po qarkullojnë informacione të shërbimeve sekrete për mënyrën e përhapjes së virusit Corona. Sa është Kina fajtore për këtë virus?

Në një raport të aleancës së shërbimeve sekrete të pesë vendeve të mëdha anglishtfolëse (SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, të quajtur si „Five Eyes”, flitet për një lakuriq, që është kontrolluar në një laborator në Wuhan. Raporti ka rënë në duart e gazetës ditore australiane “The Daily Telegraph”. Prej publikimit të këtij raporti janë shtuar dukshëm lajmet për mundësinë e “bërjes së virusit Corona nga njerëzit në laboratorin e Wuhanit”. Përveç kësaj, bota ka humbur kohë të vlefshme në luftën kundër virusit Corona, për shkak se mendohet që Kina ka fshehur informacione të rëndësishme. Fajësime të këtilla ka ngritur Presidenti amerikan Donald Trump, por edhe shtypi bulevardesk gjerman. Pra një skandal gjigand?

Tone të reja nga SHBA

Më e rëndësishmja është që virusi Corona nuk është prodhuar nga njeriu dhe nuk është përhapur qëllimisht dhe me plan. Për pohimet të tilla nuk ka kurfarë dëshmie në rapotin e shërbimeve sekrete. Drejtori i Shërbimeve Sekrete të SHBA-së, i cili ka nën vete 17 shërbime të ndryshme, ka lëshuar një komunikatë për shtyp ku thuhet se as shërbimet sekrete nuk kanë të dhëna të cilat dëshmojnë se Covid-19 është prodhuar nga njerëzit apo modifikimet gjenetike.