Infermierja kosovare – Kurtit e Vitisë: Puna jonë s’ka çmim, të paktën mos na ofendoni

Gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e ekzekutivit, Qeveria e Kosovës ndau 2 milionë e 700 mijë euro për punonjësit shëndetësorë. Kjo do të përkthehet në 60 euro më shumë në pagë, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021.

Pas këtij vendimi menjëherë kanë reaguar mjek e infermierë të cilët po e shohin si vendim tallës të Qeverisë Kurti.

Adulina Lahu, infermiere vullnetare në Klinikat COVID-19, ka refuzuar shtesat nga qeveria duke thënë se janë nënçmuese.Ajo përmes një statusi në Facebook treguar punën që bën për t’u kujdesur për pacientët e infektuar me COVID.

“Të kalonit vetëm një orë e jo me shumë me pacientët me COVID19, të shikonit në sytë e tyre plotë shpresë derisa mezi marrin frymë, ju garantoj se do ju kapte paniku e lërë që do arrinit të kujdeseni për ta!”.

Në fund ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të mos e ofendojnë më vendime të tilla, sipas saj puna e punonjësve shëndetësorë nuk ka çmim.

Postimi i plotë

E nderuara Qeveri,

Unë si infermiere, vullnetare në Klinikat COVID-19 që nga fillimi i pandemisë publikisht deklaroj se refuzoj shtesat nënçmuese!

Të kalonit vetëm një orë e jo me shumë me pacientët me COVID19, të shikonit në sytë e tyre plotë shpresë derisa mezi marrin frymë, ju garantoj se do ju kapte paniku e lërë që do arrinit të kujdeseni për ta!

Ai shikim plot shpresë, ajo dorë që ne mbajmë, dhimbja që e bashkëndjejmë, kujdesi që u japim, jetët që i rikthejmë, orari i tejzgjatur, lodhja që na kaplon, shëndeti i cenuar jo vetëm ne por edhe të familjarëve…. e shumë gjëra tjera, ju nuk mund ti paguani!

Gjëja më e bukur në punën tonë dhe që s’do e paguaja me asnjë çmim është të mbash duart e atij që po lufton për jetën e t’i thuash “mos ke frikë se do ja dalim”!

Puna jonë nuk ka çmim, të paktën mos na ofendoni!

#Refuzoj60euroArben Vitia Albin Kurti