Infermierët kërkojnë pagesa shtesë në kujdestari, Zemaj u premton zgjidhje të premten

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrë së drejtorit të ShSKUK-së, Valboni kanë mbajtur sot një takim me Sindikatën e Infermierëve të Kosovës.

Tashmë disa ditë disa infermierë kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre për rritje të pagave.

Pas takimit me ministrin, kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor (SHSIMP), Fitim Havolli, tha për media se janë dakurduar me ministrin Zemaj që deri të premten të realizohen kërkesat e tyre.

Ai ka thënë se kanë diskutuar që pagesat për kujdestari të rriten dyfishi, pra infermierët të paguhen 36 euro për kujdestari.

Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ai ka thënë se nga e premtja do të marrin masa tjera.

“Me ministrin u dakorduam qe deri te premten kërkesa jonë të realizohet. Të shohim se çfarë do të bëhet deri të premten. Në rast se nuk plotësohen kërkesat, sindikata do të mblidhet e do të marrë masa”, ka thënë ai.