Infektologu: Varianti Delta, dasmat dhe klubet e natës ndikuan në rritjen e rasteve me COVID-19

Varianti Delta i COVID është bërë dominant në vendin tonë, duke rritur ndjeshëm numrin e rasteve të infeksionit.

E përveç variantit Delta, në shtimin e rasteve të reja me koronavirus kanë ndikuar dasmat dhe klubet e natës, kështu tha infektologu Ilir Tolaj.

Tolaj tutje është shprehur se varianti Delta po tregohet më i aftë për t’u përhapur në mesin e popullatës, te ata që nuk e kanë kaluar Covid-19 apo që nuk janë vaksinuar me dy doza.

“Janë dy faktorë që kanë ndikuar në këtë rritje kaq të madhe, prezenca e Delta variantit i cili po tregohet që është më i aftë për tu përhapur në mesin e popullatës së ndjeshme të atyre që nuk e kanë kaluar sëmundjen ose të atyre të cilët nuk janë vaksinuar me dy doza, në anën tjetër disa prej veprimeve të cilat nuk u ndërmorën nga autoritetet shëndetësore të Kosovës, si parandalimi në momentin kur dihej se çdo kund kemi ngritje të numrit të rasteve të reja, siç ishin lejimi i dasmave, puna e klubeve të natës, puna e kafiterive deri vonë pas mesnate me një dendësi të mysafirëve dhe pa respektimin e asnjë prej masave dhe që këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e rasteve në mënyrë të pakontrolluar”, ka deklaruar ai.

Ai tutje ka komentuar edhe masat që janë ndërmarrë së fundmi nga qeveria si parandalim për Covid-19, derisa shtoi masat për parandalimin e dasmave dhe punës së klubeve të natës kanë qenë të domosdoshme.

Por, që disa prej masave për infektologun Tolaj janë të panevojshme.

“Masat kanë qenë të domosdoshme, në veçanti ndalesa e punës së klubeve të natës, dasmave, dhe duhet të shkojë me një kufizim edhe të numrit të vendeve siç janë kafiteritë, disa prej masave mendoj që janë të panevojshme pasi që nuk janë respektuar në Kosovë edhe më herët siç është bartja e maskës në ambientin e hapur, apo kufizimi i takimeve të caktuara në ambientin e hapur, dhe mendojë që  kërkesa për një PCR test me rastin e hyrjes në Kosovë tash është e vonuar pasi që kemi 20 mijë raste”.