Masat e reja të Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi sot, kanë ngjallur reagime të mëdha.

Sipas vendimit të qeverisë komunat e Kosovës do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, masa këto që sipas infektologut Ilir Tolaj, janë të tipit kufizues dhe nuk janë të balancuara në mënyrën e duhur.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Tolaj ka thënë se përveç qëllimit për zvogëlim të rasteve të reja me koronavirus, këto masa nuk adresojnë aspekte të tjera të jetës dhe punës.

Prandaj, ai thotë se zyrtarët nuk duhet “të vajtojnë” pasi që sipas tij nuk janë organizuar mirë në kohën kur është dashur të menaxhohet pandemia.

“Me këto masa çdo gjë i nënshtrohet zvogëlimit të rasteve të reja më COVID 19. Sepse, i gjithë menaxhimi i pandemisë, jo vetëm tek ne por edhe në vende tjera të rajonit, po vlerësohet vetëm në bazë të numrit të të sëmurëve të identifikuar më COVID 19. Masat nuk janë të balancuara në mënyrën e duhur. Duke arritur një qëllim do të shkaktojnë dëme afatgjata në segmentet tjera të jetës së qytetarëve.

Në vend të vajtimit, përgjegjësit duhet përvjelur mëngët dhe të organizohen më mirë duke e kompenzuar kohën e humbur të muajve të verës. E nëse nuk dijnë, mund të pyesin. Nuk është turp me pranu kur nuk din”, thuhet në përgjigjen e Tolajt.

Madje Tolaj thotë se këto masa janë kopje e shume vendeve perëndimore, me të cilat Kosova nuk mund të krahasohet, sepse sipas tij vendi ynë ka dallime edhe me shtetet e rajonit.

“Masat janë një kopje e masave të caktuara të vendeve të ndryshme në botën perëndimore. Por, Kosova dallon shumë nga vendet perëndimore. Madje, për nga kapacitetet e përgjithshme dallon edhe nga vendet e rajonit.”, tha Tolaj.

Infektologu kosovar foli edhe për ndikimin e këtyre masave, madje duke theksuar se qeveria po këshillohet në mënyrë jo të mirë nga institucionet që e kanë për obligim vlerësimin e duhur të situatës.

“Reagimet nga pjesë të caktuara të biznesit tashmë janë evidente. Por edhe më serioze dhe me pasoja afatgjata do të jenë ndikimet që masat e këtilla do të kenë në aspektet e veçanta dhe të përgjithshme të shëndetit të popullatës, në edukimin superior, në liritë themelore njerëzore dhe aspekte tjera të cilat janë me ndikim thelbësor në ndërtimin e një shoqërie normale. Është evident fakti se autoritetet qeveritare po këshillohen keq nga institucionet që e kanë obligim vlerësimin e drejtë të gjendjes, siç është rasti me IKSHP.” shtoi tutje Tolaj.

Ai po ashtu thotë se është joprofesionale që pikërisht në këtë periudhë të valës së dytë me këtë virus, të flitet për furnizim me oksigjen apo shtim të kapaciteteve, çështje këto të cilat sipas Tolajt është dashur të diskutohen më herët.

“Gjithashtu, SHSKUK nuk e ka shfrytëzuar periudhën disa mujore relativisht të qetë ne kuadër të ecurisë së pandemisë, për ti shtuar dhe përmirësuar kapacitetet mjekuese për rastet e hospitalizuara. Është joserioze dhe skajshmërisht joprofesionale që tash, në vlugun e valës së dytë, të flitet për probleme të furnizimit me oksigjen apo që tek tash të fillohen me ndërtime për shtimin e kapaciteteve në shtretër për të sëmurët me COVID 19.”, u shpreh Tolaj

Tolaj shtoi se në këtë valë të dytë të pandemisë, numri i madh i rasteve nuk duhet të jetë shkak për panik, duke shtuar se janë joserioze deklarimet se sistemi shëndetësor është pranë kolapsit.