Infektologu Tolaj fajëson qeverinë: Ka dështuar në menaxhimin e pandemisë

Të dështuar po e konsideron menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë, infektologu Ilir Tolaj. Për keqmenaxhimin e virusit, Tolaj në një intervistë për Ekonomie Online, fajtor e bënë edhe të parin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të cilin thotë se shkalla e vdekshmërisë në Kosovë tregon se në sistemin shëndetësor ka ngecje.

Tolaj thotë se mbyllja e tepërt nuk ka rezultuar në ndalje të pandemisë në asnjë vend të botës e as në Kosovë.Megjithatë, Tolaj po e konsideron të panevojshme bartjen e maskave në ambiente të hapura.Tolaj konsideron se nuk ka asnjë arsye as logjike të detyrohen njerëzit të cilët ecin rrugës të bartin maska, derisa kur janë të ulur në kafiteritë pranë rrugës, të qëndrojnë pa maska.

“Në përgjithësi janë dy qasje për menaxhimin e pandemisë. Njëra është një mbyllje strikte dhe tjetra me masa më masat më të lira, një komunikim më i lirë i popullatës, i cili sjellë deri te një shkallë e caktuar e rasteve të infektuara. Në Kosovë i provuam që të dyja. Sepse posa të përhapen do të kemi raste të reja. Në momentin që ka pasur resktriksione ka pasur raste të tepërta. Ndërsa në momentin kur janë liruar, janë liruar menjëherë. Dhe mu për këtë arsye e kemi këtë diskrepancë të madhe në numër”, tha ai.

“Kosova është specifike dhe mu për këtë arsye ishte dashtë që masat të jenë sa më të thjeshta për popullatën dhe mos të ndërlikohet me termine për kohën pas orës 23 dhe të mos ngarkohen tepër për vënien e maskave në rrugë sepse nuk ka logjikë në nëse jashtë në një lokal jemi pa maska ndërsa në rrugë njerëzit të sillen me maska, andaj duhet të edukohet popullata”.“Këto tre masat kryesore të gjithë i mësuam elementare për tu mbrojtur. Këshilla ime vazhdimisht ka qenë që masat të jenë jo shumë restriktive, të lejohet një nivel i caktuar i popullatës në mënyrë që sa më shpejt të arrijmë një lloj të imunitetit që do të na mbronte, sepse për vaksinën edhe pak do të presim”.Tutje, Tolaj thekson se IKShPK-ja nuk e ka përmbushur misionin e vet, sa i përket rritjes së numrit të testimeve.

Madje thotë se ky institucion po mundohet që të kompensohen me licencimin e laboratorëve privat.“Në fillim kemi pasur vetëm IKShPK-në dhe duhet deklaruar se nuk e ka përmbushur misionin e vet, sepse misioni i tij nuk është vetëm për testime dhe për t’i paraqitur rastet që janë infektuar. Janë edhe një varg veprimesh të tjera të cilat është dashur të përgatiten që të bëhen në kohë të pandemisë dhe shumë të tjera edhe para pandemisë”.“Mendoj se në fillim nuk kemi pasur numër fare të mjaftueshëm të testimeve dhe kjo tash po mundohet që të kompensohet me licencimin jashtëzakonisht të madh të laboratorëve. PCR tregon për një infeksion të freskët testimet e shpejta dhe serologjike tregojnë për afrimin dhe largimin e virusit. Është e rëndësishme të bëhen testime sepse do të fitojmë një pasqyre të qartë të infektuarve që e kanë kaluar virusin. Jam i bindur që numri i rasteve me Coronavirus është me dhjetëra herë më i madh se i këtyre që janë të proklamuar”.

Sipas tij, studimet po tregojnë që rastet e infeksioneve ndërmjet fëmijëve dhe nxënësve janë më të pakta, ne veçanti ato deri në moshën 12 deri në 18 vjet, duke shtuar se ekziston rreziku që të infektohen fëmijët dhe mësimdhënësit në shkolla.Tutje, ai rekomandon që të hapen shkollat, raporton Ekonomia Online.

.“Studimet po tregojnë që rastet e infeksioneve në mes fëmijëve dhe nxënësve janë më të pakta, ne veçanti ato deri në moshën 12 vjet dhe më të larta nga 12 deri në 18 vjet. Tash ekziston një rrezik dhe për këtë janë autoritet shëndetësore duhet të intervenojnë në çdo pikë ku e shohin që mund të ketë devijime nga pritja. Pritja jonë është që të mos ketë raste. Rekomandimi im është që duhet të hapen shkollat meqenëse nuk ka të bëjë vetëm me mësim nxënie, por me një zhvillim psikologjik, social të fëmijëve. Shkolla e ofron diçka që janë bazat e shoqërisë çfarë është njerëzimi”, shtoi ai.

Infektologu Tolaj potencoi se askush nuk mund të thotë se si mund ta kemi situatën në vjeshtë. Megjithatë, ai theksoi se gjatë muajit të dimrit mund të ketë ngritje të rasteve me Coronavirus. Prandaj ajo çka duhet të bëjnë qytetarët, sipas tij, është të kursejnë popullatën e moshuar sidomos ata me sëmundje kronike, të cilët do të vaksinohen.“Prandaj askush me kompetencë nuk mund të thotë se si mund ta kemi situatën në vjeshtë. Një aspekt pozitiv është se virusi i SARS 2 nuk ka një aftësi të përcjelljes më të vogël kur lagështia e ajrit është më e madhe dhe meqenëse në muajt më të ftohtë lagështia është më e madhe atëherë e kemi këtë aspekt pozitiv të uljes së infektueshmërisë. Ndërsa gjatë muajit të dimrit mund të kemi ngritje të këtyre rasteve”.“Nëse zbulohet vaksina dhe e kemi në dispozicion sa më herët dhe vaksinojmë më shumë se gjysmën e popullatës. Meqenëse UNICEF-i në mënyrë të vazhdueshme e ka furnizuar Kosovën edhe më këto vaksina, prandaj ajo kategori e popullatës do të vaksinohet. Prandaj duhet të veprohet në shkolla ku vërehet se ka raste të tilla që të intervenohet”, tha ai për EO.

Ai ka thënë se numri i vdekjeve nga Coronavirusi po vjen nga pakujdesia në QKUK dhe nga trajtimi joadekuat në kujdesin intensiv.