Rritja e rasteve

Infektivja mbushet pas shtimit të rasteve me COVID-19, paralajmërohen masa parandaluese

Për të tretën ditë me radhë është shënuar numër rekord me të infektuar në Kosovë.

Por, rekord ka pasur edhe në marrjen e mostrave nga IKSHPK-ja dhe laboratorët privatë.

Nga 1 mijë e 608 mostra, 418 persona kanë rezultuar pozitivë.

Deri tani totali ka shkuar në mbi 19 mijë e 300, prej të cilëve mbi 15 mijë e 400 kanë arritur të shërohen.

Edhe 4 vdekje janë regjistruar brenda 24 orëve, duke e çuar numrin në 678.

I shqetësuar me numrin e lartë të të infektuarve është edhe udhëheqësi i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili tërheq vërejtjen për moszbatim të masave, si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga veprimtaritë të cilat tashmë janë të lejuar të punojnë.

“Ne duhet ta kuptojmë edhe si institucione por edhe si qytetarë individualisht që ose duhet të respektojmë maksimalisht dhe në mënyrë strikte masat rekomanduese për parandalimin e infeksionit ose do të detyrohemi të marrim masat tjera kufizuese, tash ne kemi mekanizma tonë institucionalë në nivel vendi, në nivel të Qeverisë kemi trupin koordinues për menaxhim dhe koordinim COVID dhe aty jemi duke diskutuar se cilat masa duhet të rikthehen”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, duke mos dhënë shumë detaje, ka paralajmëruar ndryshim të masave në ditët në vijim.

“Do të dalim me masa të cilat ne i shohim të nevojshme, qoftë për lokalitete të kemi edhe kufizime të cilat ne mendojmë që parandalojnë shpërndarjen e infeksionit, apo edhe në tërësi masa të cilat i ndalojnë grumbullimet e tepruara që ne i shohim rrezik. Sigurisht gjatë këtyre ditëve tash jemi vetëm duke i shqyrtuar në aspektin e statistikave të hulumtimit të infeksionit edhe nga IKSHPK edhe rastet e caktuara të moshave institucioneve të ndryshme dhe sigurisht shumë shpejt do të dalim me rekomandime dhe masa”, ka poahuar Zemaj.

Sipas udhëheqësve të QKUK-së, Kosova ka vetëm 900 shtretër në dispozicion për të trajtuar të infektuarit me Covid-19.

Por, shtretër të lirë nuk kanë mbetur në Klinikën Infektive, e cila është e mbushur me pacientë të infektuar me Covid-19, e që shumica prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale numri i pacientëve ka shkuar në mbi 300, prej të cilëve rreth 200 janë në duke u trajtuar me oksigjenoterapi.