Presidenti i FIFA-s

Infantino kërcënon me pezullim futbollistët që synojnë të jenë pjesë e “Super League”

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka thënë se mund të ketë pezullime nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s për futbollistët që mendojnë t’i bashkohen të ashtuquajturës “Super League”.

Revista gjermane “Der Spiegel” raportoi javën e kaluar se Bayerni dhe kryetari i saj Karl Heinz Rummenigge ishin iniciatorët e idesë për këtë ligë.

Këto pretendime që ishin siguruar nga informatorët e faqes “Football Leaks” janë mohuar kategorikisht nga klubi i Bayernit dhe nga vetë Rummenigge.

Infantino theksoi se futbollistët mund të përballen me dënime të ashpra nëse i bashkohen këtij kompeticioni, që synon t’i ketë klubet më të mëdha europiane e që njëkohësisht dëmton Champions Leaguen.

“Ju ose jeni pjesë e saj ose nuk jeni. Nëse ka lojtarë që nuk luajnë në futboll të organizuar atëherë nuk ka të tillë dhe kjo përfshin të gjitha kompeticionet si Nations League, Kualifikimet për Europian e Botëror”, tha Infantino.

Presidenti i FIFA-s e dha si shembull Kupën e Botës për klube në krahasim me çdo kompeticion tjetër që synon pasurimin e klubeve të mëdha, ndërsa Infantino shtoi se përmes organizimit të Kupës së Botës për klube mund t’i ndihmohet shtetve të varfëra që nuk i kanë kushtet e nevojshme për të luajtur futboll.