indi

Indianët po i ngujojnë lopët nëpër shkolla për t’i mbrojtur të mbjellat

Në rreth 15 fshatra të Indisë është shfaqur një problem i çuditshëm. Fermerët e zemëruar po i ngujojnë shumë lopë endacake që nuk kanë pronarë nëpër shkollat e vendit sepse ato po ua dëmtojnë të mbjellat. Në këtë mënyrë, ata po i bëjnë presion qeverisë lokale për ta zgjidhur problemin e tyre.

Është e zakonshme që lopët të shihen gjithandej nëpër rrugë të qyteteve të Indisë. Megjithatë, ato e kanë ngjallur zemërimin e fshatarëve të Utar Pradeshit. Ata po thonë se numri i lopëve që nuk kanë strehë është rritur jashtëzakonisht shumë dhe kjo po i kërcënon të mbjellat e tyre.

Rritja e lopëve dhe transportimi i tyre është bërë i rrezikshëm në Indi për shkak të ekstremistëve hindusë, të cilët në të kaluarën kanë rrahur dhe madje kanë vrarë njerëz, kryesisht myslimanë, për të cilët dyshonin se kanë therur lopët.

Kur lopët arrinin një moshë më të vjetër dhe nuk ishin burim i mjaftueshëm i qumështit, fermerët zakonisht i shisnin ato për mish. Sidoqoftë, rrjeti i thertoreve tashmë është shkatërruar për shkak të mbylljes së tyre nga qeveria lokale. Në këtë mënyrë, fermerët nuk po kanë llogari t’i mbajnë ato, prandaj shumë prej tyre po i braktisin lopët dhe ato po mbesin të pastrehuara.

Sipas shifrave zyrtare të publikuara në vitin 2012, në rajonin e Uttar Pradeshit ndodhen rreth një milion lopë endacake. Politikat e vendit i kanë detyruar fermerët që t’i braktisin ato për shkak të ndalesës për t’i therur apo për t’i shitur, shkruan “The Washington Post”