Incidenti tragjik: Në prani të Lutfi Hazirit, shtrijnë dorën e pajtimit familjet Çoçaj dhe Avdija

Në sallën e komunës së Gjilanit, Refki Çoçaj, zgjati dorën e pajtimit dhe të faljes familjes së Sokol Avdiaj nga Peja pas aksidentit që kishte ndodhur më 7 mars në Gjilan kur nga kamioni u godit dhe mbeti i vdekur Qerim Çoçaj, njofton Komuna e Gjilanit.

Refki Çoçaj me këtë rast tha: “Për nder të madhit Zot, të shpirtit të babës, të edukatës që ai na ka dhënë neve, ju qoftë falë gjaku i babës” .

Sokol Avdija, babai i shoferit që ka shkaktuar aksidentin tragjik, me emocione të mëdha dhe prekëse ka thënë shkurtimisht që e ka shumë të vështirë të gjej ndonjë fjalë për të përshkruar këtë akt të sotëm.

“E kam shumë të vështirë të flas. Do të doja që unë të isha atje, e ai të jetonte sot. Por, qenka e vështirë. Zoti ju shpërbleftë familjen tuaj”.

Në sallë ishin të kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ndërmjetësuesi Fetah Bekolli dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu.

Haziri me këtë rast tha se falja e pajtimi erdhi si vlerë e pjekurisë së madhe që ka treguar Refkiu dhe familja Çoçaj.

Ndërmjetësuesi i rastit, Fetah Bekolli, imam nga Hasi i Prizrenit, ka thënë se gjaku që është falur me shtrimin e dorës së pajtimit me kërkesë të familjes Çoçaj, për të shprehur falënderimin e tyre për afërsinë që gjithë qytetarët e Gjilanit kanë ofruar në momentet më të vështira për ta, për të tejkaluar dhimbjen e madhe që kishin për familjarin e tyre Qerim Çoçaj.

Naim Aliu, kryetar i KBI në Gjilan, ka thënë se Qerimi i ndjerë, djemtë e tij për së gjalli me aktin e tyre kanë bashkuar në këtë ditë xhumaje katër treva, Gjilanin, Prizrenin, Hasin dhe Pejën.