Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur sot në Parlament një raport mbi Kosovën.
Para fjalimit, disa anëtarë të Dverit në hyrje të Parlamentit pritën presidentin me thirrjet “Tradhti-tradhti”.
Në hyrje të Kuvendit, vetura e Vojisllav Sheshelit, kriminelit serb, ka shkaktuar incident, pasi që për pak sa nuk i ka shtypur serbët e mbledhur kundër Vuçiqit, transmeton Ballkani.info. Aty ka pasur edhe përplasje ndermjet Sheshelit dhe “Dverit”.
Në sesion morën pjesë edhe kryeministrja Ana Brnabiq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, si dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq.
Anëtarët e shumicës qeverisëse dhe disa anëtarë të opozitës morën pjesë në punën e seancës, ndërsa pjesa e opozitës që normalisht bojkoton punën e parlamentit nuk ishte e pranishme as në këtë seancë. Presidenti Vuçiq duke folur për zgjidhjen e problemit të Kosovës, tha se ekzistojnë dy skenarë: ose situata të jetë normale ose do të ketë konflikt të ngrirë. “Kjo do të ishte katastrofale”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojë luftën për serbët në Kosovë.






