Incident në Ministri: Ish-kryesuesi i Bordit tregon se si u përplas me Artane Rizvanollin dhe u shkarkua

Ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trainkos”, Nol Dedaj, ka treguar për një përplasje që ka pasur me ministren Artane Rizvanolli dhe stafin e saj, që çoi në shkarkimin e tij.

Ai thotë se ishte pranuar në Bord me konkurs, pasi që është profesionist i fushës, por që më pas, sipas tij, “u sollën njerëz që nuk kanë lidhje me transport hekurudhor”

“Njerëz që nuk kanë lidhje me transport. Ai e ka përdorur hekurudhën veq kur ka hyp në tren najherë. Sa i përket transportit, asnjëri”, tha ai në Frontal.

“Të gjithë janë politikë. E kam bindjen. I nxura të tretë përjashtë. Mbetem vetëm unë, zv.ministri, ministrja dhe një këshilltar aty. Më bënë një ofertë jashtëzakonisht të mirë. Një ofertë që nuk mujta me pranu. Tha a do me dhënë dorëheqje apo do me të shkarku. Tash më ka kaluar ajo nervozë. I thashë asaj ‘kurrë nuk dha dorëheqje’. Kurrë nuk e kam bërë atë punë kur e kam parë veten të suksesshëm. Po të kallxoj të vërtetën, kishte tone të rënda dhe përdorëm edhe shprehje që janë të rrugëve”, shtoi ai.

Tutje ai tha se ka dërguar ankesa dhe se nuk kthehet më në atë vend të punës. Ai shton se po mendon që të vazhdojë profesionin e tij jashtë vendit.

“Cka ka lidhje që është zonjë. Nëse ajo nuk di të ndalë veten, nuk e ndali as unë. E kam ndërprerë. Kam marrë çantën dhe librat e kam dalë përjashtë. E pres vendimin e saj. Nuk kthena kurrë më. Me punu me ata kurrë. E pres vendimin zyrtar. E marr, jam në kontakt me avokatin tim. Ka qenë konkurs i rregullt dhe kam aplikuar. Besoj se Ligji i Punës më mbron. Atë ditë që jam shkarkuar, e kam marrë letërnjoftimin. Jam qytetar rezident i Ulqinit. Ekziston mundësia që të vazhdoj profesionin edhe në Ulqin”, shtoi ai.