Inaugurimi i Jakov Milatoviqit si president i Malit të Zi, i pranishëm edhe Escobar

Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë po zhvillohet inaugurimi i presidentit të sapozgjedhur Jakov Milatoviq.

Betimi dhe marrja zyrtare e detyrës si president do të fillojë në ora 12:00 në Kuvendin e Malit të Zi, raporton rtcg.

Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani ndërsa do të jetë prezent edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ardhjen e kanë konfirmuar edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq.

Në inaugurim vijnë edhe përfaqësues të partive, një numër i madh ambasadorë jorezidentë dhe i dërguari special i SHBA-së, Gabriel Escobar si dhe i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Inaugurimi është një akt solemn i hyrjes në zyrën presidenciale. Ai duhet të jetë shembull i standardeve më të larta demokratike dhe pikërisht për këtë është paraparë në Parlamentin e Malit të Zi. Qytetarët më kanë dhënë besimin që të bëj gjithçka që kam në fuqi për ta bërë Malin e Zi një shoqëri të vërtetë demokratike”, ka shkruar Milatoviq në Twitter.

Milatoviq fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, të mbajtur më 11 prill, në të cilat mori besimin e 60 për qind të qytetarëve.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të miratuar më 22 tetor 2007, presidenti i vendit zgjidhet me zgjedhje të drejtpërdrejta për pesë vjet.

Nga pavarësia më 21 maj 2006, Filip Vujanoviq mbajti postin e presidentit për dy mandate, gjegjësisht gjatë viteve 2008 dhe 2013.

Milo Gjukanoviq u zgjodh në atë pozitë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.