Imazhe rrëqethëse nga spitali i Detroitit: Trupat e pajetë mblidhen nëpër dhoma

Fotografitë e shkrepura nga punonjësit e spitalit Sinai-Grace në Detroit, shfaqin trupat e pajetë që mblidhen dhe ruhen nëpër hapësira të ndryshme të spitaleve, që më pas të dërgohen nëpër frigoriferë gjigant që janë të parkuar pranë spitaleve.

Dy punonjës të ndihmës së shpejtë konfirmojnë se fotografitë janë të vërteta dhe janë shkrepur në spital në fillim të këtij muaji, gjatë një ndërrimi 12 orësh që punonjësit e përshkruajnë si të tmerrshëm.

Gjatë një interviste dhënë për CNN, këta dy punonjës nën kushtet e anonimitetit kanë folur për brengat që i kanë për punonjësit shëndetësorë.

Dy burime kanë thënë për CNN, se të paktën një dhomë përdoret për ruajtjen e kufomave, pasi që personeli i morgut nuk punon gjatë natës edhe pse raportohet se tashmë në morg nuk ka hapësirë për kufoma tjera.

“E tëra çfarë di është se kemi mbetur pa shtretër për pacientë, pasi disa janë futur në këto dhoma për t’i vendosur trupat e pajetë”, ka deklaruar një punonjës i spitalit.

Në fotografi shihen dy trupa të pajetë të vendosur në shtrat njëri mbi tjetrin, kurse një trup tjetër është vendosur në karrige pranë tavolinës. Që të tre trupat janë mbuluar me qese të bardha të najlonit.