Ilir Meta nuk jep dorëheqjen: Fajin për humbjen e LSI e ka Monika, në 2022 rikthehem në parti

Presidenti Ilir Meta ka pranuar ndjesën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në lidhje me djegien e mandateve të deputetëve dhe të mos marrjes pjesë në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë nga ana e opozitës.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore”, reagoi Meta nëpërmjet zëdhënësit të tij, Tedi Blushi.

Më pas, Meta ka dhënë edhe një sinjal që nuk do t’i njohë zgjedhjet, pasi thekson se në këto zgjedhje votat u tjetërsuan.

“Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.
Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, thuhet në statusin e Tedi Blushit, zëdhënësit të Presidentit.

Më herët në konferencën për mediat, Kryemadhi duke mos pranuar dhënien e dorëheqjes, deklaroi se nuk e kishte dëgjuar presidentin për mos dorëzimin e mandateve të deputetëve të Parlamentit.

“Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i Presidentit të Republikës ishte i drejtë, për këtë situatë në të cilën ne gjendemi sot. Prandaj, dua që edhe në emër të LSI, edhe timin personal, ti kërkoj falje për këtë çast, për këtë veprim dhe për këtë qëndrim, i cili nuk solli gjë tjetër veçse 70 për qind të ndryshimit që donin shqiptarët, 70 për qind të shqiptarëve që donin ndryshimin, nuk solli gjë tjetër, por solli vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe nga oligarkët”, deklaroi Kryemadhi.