Dorëheqja e kryetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit, e bërë me urdhër të Vuçiqit, është veprim i njëanshëm i prishjes së marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.

Kështu thotë deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

Sipas tij, sot shihet qartë brishtësia dhe kthyeshmëria e marrëveshjeve “historike” në Bruksel, duke hyrë në finalen e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës, me përshkallëzim të gjendjes politike e të sigurisë në pjesën veriore të shtetit.

“Nuk guxojmë të biejmë në kurthë të tjerëve. Sot na duhet mençuri, maturi, bashkërendim të veprimeve dhe konsensus – i cili edhe ashtu është mëse i vonshëm”, shkruan Deda.

“Qeveria e Kosovës, po e përsëris, duhet të konkretizojë dhe sqarojë që taksa prej 100% ndaj produkve të prodhuara në Serbi do të hiqet kur Serbia t’i kthehet “normalizimit të marrëdhënieve” duke: 1. E ndalë në mënyrë të verifikueshme fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës; 2. Në mënyrë të plotë e zbaton marrëveshjen për energji; marrëvshjen për IBM; marrëvshjen për kadastër e regjistër civil, si dhe marrëvshjen për diploma universitare”, thekson Deda. /Ballkani.info/