IKSHPK po i ‘fshehë” testet që po kryhen në laboratoret private

IKSHKP ka filluar nga sot t’i raportojë edhe rastet pozitive me Covid 19 që po diagnostikohen nga laboratorët private. Megjithatë, nuk dihet se sa është numri i testimeve që këto institucione private kanë kryer. IKSHKP thotë se totali i personave që kanë rezultuar pozitivë këta laboratorë është 141 raste.

Privatët e kanë obligim që në baza ditore të raportojnë në Ministri dhe në IKSHPK për testimet me metodën PCR dhe testet serologjike që i kanë kryer. Por, për shifrat e numrit të testimeve, këto dy institucione barrën ia hedhin njëra -tjetrës.

Ministria e Shëndetësisë të hënën e 10 gushtit ka filluar me licencimin e institucioneve private shëndetësore për të kryer teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.

Fillimisht janë licencuar 29 institucione shëndetësore private, e më pas edhe disa të tjerë. Ndërkohë licencimet e fundit u bën sot (18 gusht) duke e çuar në 69 laboratorë privatë të licencuar për teste serologjike dhe virologjike për coronavirus në Kosovë.

Por jo të gjithë këta kryejnë teste me metodën PCR e cila tregon saktë nëse një person është i infektuar me Covid-19. Shumica e këtyre laboratorëve kryejnë teste me serologjike që përcakton praninë e antigjeneve dhe antitrupthave për SARS Cov-2 në organizmin e njeriut që i bie se me këtë test kuptohet nëse dikush është përballur me Covid 19.

Megjithëkëtë, janë bërë më shumë se një muaj qëkur në Kosovë kanë filluar me testime PCR dhe teste serologjike institucionet shëndetësore private por ende nuk dihet se sa është numri i testimeve që janë kryer në këto institucione private duke e raportuar nga sot vetëm një shifër totale të rasteve pozitive me Covid 19.

MSH: IKSHKP duhet të monitorojë cilësinë e raportimit dhe konfirmimit të të dhënave

Organet e shëndetësisë në Kosovë ende nuk e kanë dhënë as edhe një të dhënë zyrtare për shifrat e testimeve për Covid-19 që janë kryer në institucionet shëndetësore private. Ani se këto te fundit e kanë obligim që në baza ditore të raportojnë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në IKSHPK për testimet me metodën PCR dhe testet serologjike që i kanë kryer.

E MSH përgjegjësinë për publikimin e këtyre statistikave ia hedhë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në një përgjigje për Express, zyrtarë të MSH’së kanë deklaruar se IKSHPK ka hartuar formularin e raportimit te cilin ua ka ndarë Institucioneve Private Shëndetësore të licencuara për testime serologjike dhe molekulare dhe këto institucione i plotësojnë ata formularë me të dhënat e kërkuara dhe i dërgojnë në IKSHPK.

“Testet molekulare (PCR) sigurisht që do të përfshihen në raportimet e IKSHPL-së, pasi të njëjtat të jenë kryer nga IPSH të licencuara”, thuhet në përgjigjen e MSH’së .

Megjithëkëtë, nga MSH thonë se nuk i dinë të dhënat se sa testime me metodën PCR janë kryer në institucionet private së fundmi.

“Këtë informatë mund ta ketë IKSHPK, ku duhet të raportojnë IPSH, dhe me që është fillimi i procesit, edhe instituti duhet të monitoroje cilësinë e raportimit dhe konfirmimit të të dhënave”, deklarojnë nga MSH.

IKSHPK nuk tregon për shifrat

Por në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik refuzojnë që të deklarohen për këtë punë.

Gazeta ka më shumë se një javë që ka dërguar pyetje në IKSHPK. Por të njëjtit kanë refuzuar që të japin përgjigje. Madje përmes rrugëve jozyrtare kanë thënë se për këtë çështje duhet të flasin nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithëkëtë në raportimet e përditshme të IKSHPK’së nuk jepen detaje për shifrat e testimeve në institucionet private për COVID-19. Madje numrat e testimeve lëvizin ndjeshëm dita-ditës.

Disa laboratorë në Prishtinë, të licencuar për teste serologjike për coronavirus, që kanë nisur punën, thonë se çmimet variojnë nga 25 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa.

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë nisi lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Deri më tani, vetëm dy institucione private shëndetësore janë licencuar që të kryejnë teste virologjike me metodën PCR. Ky test tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.