Rrëzimi

IKSHPK jep rekomandim pozitiv se seanca për rrëzimin e Qeverisë mund të mbahet: Ofron asistencë nëse ka nevojë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ia ka kthyer përgjigjen Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit.

IKSHPK ka rekomanduar se seanca mund të mbahet pa probleme.

“IKSHPK nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve shtetërore”, thuhet në përgjigjen e tyre dërguar kryeparlamentares Osmani.

Në përgjigjen e saj, IKSHPK shpreh gatishmërinë që të ofrojë edhe asistencë për mbarëvajtjen e seancës së Kuvendit, ku pritet të votohet Mocioni i Mosbesimit kundër Qeverisë së Kurtit.

“Jemi të gatshëm që gjatë seancës me ekipet tona profesionale të kujdesemi maksimalisht për aplikimin e kushteve të kërkuara, sipas protokollit dhe udhëzimeve”, thuhet më tej në këtë përgjigje të tyre.

IKSHPK po ashtu, në këtë përgjigje rekomandon edhe masat që në përputhje me kushtet e punës duhet të përfshijnë:

Dezinfektimin e hapësirave të punës, Sallës së Kuvendit, kontrollin e çdo deputeti para hyrjes në sallë, pastrimin e duarve, ndërmarrjen e masave tjera higjienike, sipas nevojës dhe dëshirës së deputetëve.

Me këtë përgjigje të tyre askush më nuk mund të ndalë organizimin e seancës së Kuvendit të Kosovës për votëbesimin kundër Qeverisë Kurti.