‘Ik prej nga ke ardhur’, Besa Shahini flet si është ndjerë si një kosovare në Shqipëri

Ish-ministrja e Arsimit së Shqipërisë, Besa Shahini, ka thënë se opozita u tregua raciste me të për shkak se është nga Kosova.

Ajo tha se nuk e beson që një diskurs të tillë diskriminues e ka edhe populli në Shqipëri për ata të Kosovës, por se sheh rrezik që një narrativë e tillë të futet në përdorim.

Shahini e konsideroi si sulmin më të ulët nga të gjitha ata që ka marrë derisa ishte në krye të detyrës derisa tregoi se përballja me një pankartë “Ik prej nga ke ardhur” është e rëndë për ata që kanë qenë të përndjekur në vendin e tyre.

“S’jam ndjerë si e diskriminuar, por ajo që jam përpjekur ta hapi si debat dhe që mendoj se është e rëndësishme që të vijojë të diskutohej jo duke e akuzuar njëri-tjetrin, por për të parë se ku realisht është problemi. Është shfrytëzuar nga opozita, sidomos nga PD-ja, pak edhe nga LSI-ja fakti që jam nga Kosova për të aplikuar një lloj narrative negative për këtë fakt duke thënë se fakti që ti flet ndryshe nuk je e mençur, është epitomi dhe thelbi i njëfarë racizmi kulturor që aplikohet në marrëdhënie raciste mes kombeve të ndryshme apo grupeve të ndryshme etnike. Këtë nuk e mendon populli shqiptar.

Unë kam takuar mijëra njerëz në Shqipëri dhe them se këtë e kultivon elita politike për nevojat e veta politike ditore dhe besoj që e kanë vetëm si mjet lufte. Por, rezultati është negativ. S’është e rëndësishme nëse e besojnë, por fakti që e thotë në çdo emision dhe kur i organizon nxënësit që dalin në protestë dhe ata e shkruajnë në pankarta dhe e nxjerrin, rezultati është negativ”, shtoi ajo në Rubikon.

“Në pankarta shkruhej ‘Ik prej nga ke ardhur’ dhe kjo është problem për neve që jemi nga Kosova dhe kemi qenë të përndjekur dhe s’kemi qenë të dëshiruar në vendin tonë.

Problemin e shihja se ky ishte oportunizëm politik prej tyre që provojnë të krijojnë narrativa të ndryshme dhe një që mund të funksionojë e përdorin për atë person politik – që është në rregull deri në pikën ku narrativa që po përdoret mund të shkaktojë dëm në gjithë përpjekjen tonë për të çuar përpara gjithë këtë bashkëpunimin kombëtar me qëllim që të çojmë përpara zhvillimin e kombit”, tha ajo.