Ferit Idrizi

Idrizi thotë se iu pamundësua t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Vetëm Jakup Krasniqin e takova

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur Akademi Solemne me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, raporton Ekonomia Online. Edhe në këtë Akademi Solemne u përmendën ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se u pamundësua vizita te ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Në pamundësi për t’i takuar të gjithë, Idrizi tha se arriti ta takojë vetëm Jakup Krasniqin.

“Kjo ditë është e veçantë sepse ngërthen në vete shumë ngjarje historike që kanë koiçiduar me të njëjtën datë, është ngritja e Flamurit të Skënderbeut, e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, është ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, është ditëlindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ku sot 26 vjet më parë në Llaushë të Drenicës doli UÇK-ja për ta larguar një herë e përgjithmonë armikun nga trojet tona. Por edhe pas kësaj toke, Kosova nuk është e qetë sepse ata që udhëheqen luftën e UÇK-së, sot përballën padrejtësisht me një gjykatë të padrejtë në Hagë, prandaj dua t’u sjellë përshëndetjet e tyre dhe urimin më të ngrohtë për juve qytetarë të Vushtrrisë”.

“Unë bëra përpjekje me bashkëpunëtorë që t’i vizitoj edhe pse na u ndalua vizita me Thaçin, Veselin e Selimin, arritëm ta takojmë Jakup Krasniqin. Bacën Jakup me atë mjekër të bardhë që i ngjasonte Ismail Qemalit dhe ai u përshëndeti të gjithëve në emrin e tij por edhe në emër të shokëve të tij”, u shpreh Idrizi.