Idrizi për rastin e 26 vjeçarit: Dorëheqja akt moral, por përgjegjësisë s’mund t’i ikë askush

Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Valdete Idrizi, njëherësh edhe deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth rastit të 26 vjeçarit i cili vdiq në Qendrën e Studentëve që po shfrytëzohet si karantinë.

Ky komision pjesë e së cilit është edhe deputetja Idrizi, sot ka diskutuar lidhur me rastin e kësaj vetëvrasje, për të cilën Idrizi tha se si komision po kërkojnë llogari për këtë ngjarje.

Madje Idrizi thotë se dorëheqja e personave të cilët janë përgjegjës për këtë rast është akt moral, por përgjegjësisë nuk mund t’i ik asnjëri.

“Secili prej neve anëtarëve të këtij komisioni përveç që i shprehnim shqetësimet tona dhe atë neglizhencën që e ka pasur institucioni përgjegjës Ministria e Shëndetësisë. Po kërkojmë do të thotë llogari, sepse dorëheqja është akt moral, le të jetë në ndërgjegjen e personave. Por, në anën tjetër përgjegjësisë nuk mund t’i ik asnjëri”, tha ajo.

Idrizi tha se i gjithë komisioni e ka mbështetur inicimin e PDK’së për krijimin e një komisioni hetimor për rastin e 26 vjeçarit, që ka vdekur duke u hedhur nga kati i 4 në Qendrën e Studentëve.

“Asnjë anëtarë i këtij komisioni nuk e ka kontestuar edhe faktikisht u deklaruan që do të bashkëpunojnë me çfarëdo nisme që merret për të hetuar, të gjithë pa dallim. Përveç koleges nga veriu që mungonte të gjithë ishim prezentë dhe gjithë njëzëri e kemi shprehur edhe shqetësimin edhe interesimin edhe vullnetin dhe kontributin që mundet me dhanë si komision për të ndihmuar në hetimin sa më të shpejt të këtij rasti”, tha ajo.