Idrizi: Me stafin e komunës shkuam në Durrës shkaku i çmimeve të lira, në Kosovë s’do i përballonim

Pas vizitës në Durrës të stafit të Komunës së Vushtrrisë në muajin mars, kryetari i kësaj komune Ferit Idrizi ka dhënë detaje pas kritikave që kishin marrë.

Idrizi tha se herën e parë kanë paguar vetë, teksa herën e dytë çmimet kanë qenë të ulëta dhe për një vizitë janë shpenzuar 675 euro, shkruan teve1.info

“Në Durrës herën e parë kemi paguar secili, duke filluar prej meje. Edhe shpenzimet e udhëtimit, edhe akomodimit e të gjitha ato të tjera kemi paguar personalisht. Nuk kemi shpenzuar buxhet të komunës. Herën e dytë kemi qenë diku natën e parë 13 veta, natën e dytë 14 veta dhe kemi qëndruar në hotel Bonita. Çmimet kanë qenë shumë të ulëta. Të gjitha këto për qëndrim edhe për shfrytëzim të sallës kanë kushtuar 675 euro”, tha Idrizi në “Ditari” në Tëvë 1.

Ai shtoi se në Kosovë nuk ishte mundësia që të zhvillonin takimet sepse çmimet janë më të larta dhe nuk do mund t’i përballonin.

“Më të mëdha janë shpenzimet në Kosovë, sepse 27 veta me i qu diku në Kosovë nuk e di në cilin, në Prevallë, apo Hotel Dukagjini ose kudo tjetër, nuk kishim mujt me i përballu”, tha Idrizi.