Icardi e shkarkon Wandan nga posti i menaxheres, pasi i kërkoi një milion euro për kalimin në Turqi

Mauro Icardi e ka shkarkuar bashkëshorten e tij të ndarë, Wanda Nara, nga posti i agjentes, pasi ajo kishte kërkuar një milion euro për huazimin e tij te Galatasaray.

Futbollisti argjentinas thuhet se ka refuzuar kërkesën e modeles për një tarifë marrëveshjeje prej një milion eurosh për transferimin e tij gjatë verës.

Sipas Hurriyet, çifti po shkon drejt shkurorëzimit dhe Icardi insiston se Wanda nuk është më menaxhere e tij.

29-vjeçari e konsideron kërkesën prej një milion eurosh si ligjërisht të gabuar, derisa 35-vjeçarja i do sa më shpejt paratë për angazhimin e saj në realizmin e transferimit.

Icardi paguhet 750.000 euro për vitin që po e kalon te klubi turk, ai do të marrë edhe 75.000 euro nëse shënon më shumë se 20 gola, si edhe për çdo fitore përfiton nga 3.100 euro.

Megjithatë, pjesën më të madhe të pagës (gjashtë milionë euro, rreth 90 për qind) ia paguan Paris Saint-Germaini. Nga klubi francez, argjentinasi përfiton 6.75 milionë euro në vit, ndërsa për huazimin te Galatasaray, klubi turk po e paguan vetëm pjesën prej 750.000 eurosh.

Në muajin shtator, Wanda njoftoi se ajo dhe Mauro po ndahen për shkak të problemeve me lidhjen në largësi.

“Është shumë e dhimbshme për mua ta përjetoj këtë moment. Por, duke pasur parasysh ekspozimin tim dhe gjërat që po tejkalojnë dhe spekulimet mediatike, është e preferueshme që ata ta dinë për këtë nga unë”.

“Nuk kam asgjë më shumë për të sqaruar dhe nuk do të jap asnjë lloj detaj për këtë ndarje. Ju lutem, ju kërkoj të kuptoni jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët tanë”, kishte shkruar Nara në postim.