Sazan Ibrahimi

Ibrahimi: Pa praninë e asamblistëve të VV-së, këmbimi i pronave s’mund të bëhej

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se këmbimi i pronave komunale me ato private të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës Përparim Rama në fund të dhjetorit s’do të mund të bëhej pa praninë e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, në ligjin aktual për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës dhe rregullores për përcaktimin e procedurë së dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme “prona mund të jepet në shfrytëzim a këmbim me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në takim”. E në votim, në fund të dhjetorit pro dolën 20 asamblistë të LDK-së, AAK-së, AKR-së e LB-së, ndërsa pati vetëm një votë kundër nga një asamblist i VV-së. Por në sallë kanë qenë 35 asamblistë në përgjithësi, ka thënë Ibrahimi duke shpjeguar se kjo ka bërë që të konsiderohej numri i mjaftueshëm për vendimmarrje.

“Me legjislacionin aktual thuhet se me shumicën e votave të anëtarëve prezentë në takim… Ata kanë qenë prezentë. Sa jam informuar unë, në këtë takim kanë qenë 35 anëtarë të Kuvendit komunal dhe pro kishin votuar 20 dhe nga aspekti ligjor nëse kanë qenë 35 prezentë, 20 pro atëherë ai vendim ka kaluar. Kryesuesi i Kuvendit para çdo votimi pyet Sekretariatin se sa janë prezentë dhe kryesuesi në këtë rast e ka marrë informatën se janë 35 prezentë. Po i referohem nenit përkatës. Po të ishin jashtë, s’do të ishin të pranishëm. Është logjike. Kanë ndenjur brenda dhe Sekretariati i ka numëruar si prezentë. Neni shkruan me shumicën e anëtarëve të kuvendit komunal në takim. Prezent do të thotë të jesh prezent. Ishin prezentë 35, jo 51. Nëse kërkohet logjikë tjetër, edhe ata që s’ishin do të duhej të ishin prezentë. Por ishin 35 prezentë kur është marrë ky vendim. Dhe ligji është i qartë”, ka thënë Ibrahimi në emisionin “038” në KTV të premten.

Sa i përket çështjes së pranisë në sallë në ditën e votimit, një ditë më parë, shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, deklaroi për KOHËN se VV-ja “nuk ka mundësuar kuorumin as në herën e parë”. Ai e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e dhjetorit. Ai ka thënë po ashtu se VV-ja është ankuar në MAPL për çështjen e kuorumit.

KOHA ka më shumë se një javë që ka raportuar se Kuvendi Komunal në fund të dhjetorit ka votuar pro propozimit të kryetarit Rama për të këmbyer pronë komunale te “Prishtina e Re” me pronë private të ish-klientit të Ramës sa ishte arkitekt, në Badoc. Bëhet fjalë për këmbim të një toke komunale ku lejohet ndërtimi që në çmim të tregut kap vlerën disa herë më të lartë se djerrina në Badoc ku nuk lejohet ndërtimi. Prokuroria tashmë ka nisur hetim parapenal, e Komuna është paditur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Të enjten, Ministria e Financave pezulloi ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këtë këmbim pronash, e në vendim u shpreh se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka tërhequr “konfirmimin e ligjshmërisë së lëshuar”.

Por sipas Ibrahimit, bazuar në ligjin aktual, vendimi ka hyrë me automatizëm në fuqi pasi MAPL-ja ka kthyer përgjigje pozitive dhe ajo është paraqitur në uebfaqe. Ai ka thënë se vetëm kryetari dhe Kuvendi Komunal mund të vendosin për rivotim.

VIDEO BONUS: Sveçla: Dje ne Zveçan e sot në Dragash jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Kosovës