Ia huq Vjosa Osmani, kërkon që të zbardhet e vërteta për vrasjen e Ukë Bytyqit: Vrasësi është në burg që nga 2003

Në vitin 2003 është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Prizrenit Jetullah Kryeziu për vrasjen e ish-krytarit të Suharekës Ukë Bytyqit, dhe dy përcjellësve të tij. Mirë, si duket një gjë të tillë e ka harruar Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e cila duke kujtuar Bytyqin në 20 vjetorin e vdekjes ka kërkuar që të zbardhet e vërteta e këtij rasti dhe rasteve të tjera të tilla.

Vjosa Osmani ka lartësuar figurën e Bytyqit, duke shtuar gjithashtu se “liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura”, ani pse për këtë rast dikush tashmë po e vuan dënimin.

“Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë”, ka shkruar Osmani ndër të tjerash në Facebook.

Kujtojmë, që Gjykata në vitin 2003 kishte dënuar me 20 vjet burg Jetullah Kryeziun për vrasjen e Ukë Berishës dhe përcjellësit e tij Bafti Bajrami e Bajram Bytyçi.

Jetullah Kryeziu është i dënuar për vrasjen e Ukë Bytyqit dhe dy të tjerëve më 27 tetor 2001

“Gjykata e Prizrenit dënon me 20 vjet burg vrasësin e kryebashkiakut të Suharekës, Ukë Bytyçi. Bytyçi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u vra më 27 tetor të vitit të kaluar, pak orë pas zgjedhjes në krye të bashkisë së Suharekës. Ngjarja ndodhi menjëherë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale, që nxorën fitues kandidatin partisë së Rugovës, Bytyçin”, thuhej ndër të tjerash pas vendimit të Gjykatës më 19 qershor 3003.

Ky është shkrimi i plotë i Osmanit në 20 vjetorin e vdekjes së Ukë Bytyqit.

Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institcionale e politike.
Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë.
Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura.