I vjen radha edhe Kinës të reagojë: I thotë disa fjalë për situatën në veri

Kina i kushton vëmendje të posaçme “situatës së tensionuar” në veri të Kosovës dhe konsideron se “veprimet e ndërmarra në mënyrë të njëanshme nuk janë në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon”, u tha pas takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ambasadoren e Kinës në Beograd, Chen Bo.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Presidenca e Serbisë, ambasadorja Chen përcolli qëndrimin zyrtar të palës kineze se “bashkësia ndërkombëtare duhet t’i trajtojë të gjitha palët në mënyrë të barabartë, pasi standardet e dyfishta nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit”.

“Pala kineze respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës dhe kupton dhe mbështet kërkesat legjitime të Serbisë, përfshirë ato për mbrojtjen e sigurisë dhe të drejtave ligjore të popullit serb në Kosovë”, citohet të ketë thënë Chen.

Vuçiq, thuhet në deklaratë, e falënderoi atë dhe shtetin kinez për mbështetjen që i ofrojnë Serbisë në çështjen e Kosovës.

Qysh më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që ndodhen në këtë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë.

Me vendimin e Qeverisë, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë.

Përfaqësuesit e Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen.

Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia është duke zbatuar tash e sa vite.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, ushtria serbe është vendosur në gjendje gatishmërie dhe avionët e saj luftarakë kanë fluturuar pranë bllokadave në veri në disa raste gjatë ditëve të fundit. /REL