Në Rusi, presidentit Vladimir Putin, i ka shpërthyer sërish një skandal korrupsioni dhe nepotizmi me ish-dhëndrin e tij, biznesmenin, Kirill Shamalov.
Gazetat e pavarura ruse kanë gjetur se Kirill Shamalov në vitin 2013, kishte blerë 3.8% të aksioneve në kompaninë më të madhe petro-kimike ruse “Sibur” për vetëm 100 dollar, që në fakt vlera e këtyre aksioneve ishte 380 milionë dollarë. Shamalov u përfshi në një numër të madh transaksionesh të dyshimta dhe përdori në mënyrë aktive kompani të huaja për transaksionet e tij. Miliona dollarë nga ndërmarrjet me pjesëmarrje të shtetit mori vajza e Putinit, Katerina Tikhonova.
Çifti po ashtu zbukuroi rezidencën e tyre në Usovo dhe kështjellën në Francë, duke shpenzuar miliona dollar. Hetimi i mediave ruse vë në pah se si presidenti Putin gënjen popullin e tij, duke i ndaluar të mbajnë llogari bankare jashtë vendit, duke e futur këtë edhe në legjislacion. Këtë e quajnë hipokrizi përfaqësuesit e opozitës ruse.
“Këtu s’ka moral. Putin gënjen, është i korruptuar, i ndalon njerëzit të bëjnë atë që vet e bënë. Nëse flasim me fakte, atëherë në një kohë kur presidenti i ndalon qytetarët të mbajnë llogari bankare jashtë vendit, dhëndri i tij, duke përdorur kompani jashtë vendit, shtëpi të shtrenjta, zhvillon biznes dhe pasurohet. Kjo qartë tregon shumë për karakterin moral të presidentit dhe faktin që familja e tij praktikon atë që ai ndalon në nivelin legjislativ në Rusi”, thotë lideri i partisë opozitare ruse, Yabloko Grigoriy Yavlinski.
“Historia se si dhëndri i presidentit për 100 dollarë blen aksione me vlerë 380 milion dollarë, përsëri, thotë shumë për zakonet e presidentit të korruptuar dhe miqëve të tij oligark”, thotë ai. Yavlinski vë në pah se vetëm nëse je mik i Putinit mund të bëhesh miliarder brenda natës.
“Blerja e Sibur është treguesi më i rëndësishëm se si njerëzit e afërt me Putinin po pasurohen, ndërsa qytetarët e rëndomtë po varfërohen çdo ditë. Vetëm nëse je mik i Putinit mund të blesh për 100 dollar aksione në vlerë 380 milionë dollar”, thotë ai. Ish-dhëndri i Putinit vlerësohet se ka prona në shumë vendet të botës, por edhe biznese që qarkullojnë miliarda dollar.







